Deputetët e shumicës parlamentare hyjnë në sallë
Teksa pritet të rinisë seanca plenare për zgjedhjen e presidentit, deputetët e shumicës parlamentare kanë nisur të hyjnë në sallën plenare.
Megjithatë, në sallë nuk shihen deputetë të partive opozitare.
Edhe dy orë deri në përfundimin e afatit kushtetues
Kanë mbetur edhe dy orë deri në përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, në të kundërtën Kosova do të mbajë zgjedhje të reja.
Ndërkaq, vazhdimi i seancës për presidentin është paraparë të nisë në orën 23:00.
LVV-ja, ndërkohë, i kërkoi LDK-së 15 nënshkrime për kandidatin e saj për president, duke e ftuar që të jetë kundërkandidat i Feride Rushitit.
Por, LDK-ja opozitare tha se partia e kryeministrit Albin Kurti po kërkon që t'i bëhet kuorumi dhe nuk po ofron vota për kandidatin e tyre.
PDK paralajmëron reagim demonstrativ “nëse cenohet rendi kushtetues”
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, tha se ekziston rreziku i cenimit të rendit kushtetues në tentativat e LVV-së për ta zgjedhur presidentin.
Sipas tij, nëse vihet në këtë situatë, mund të reagojnë edhe “në mënyrë demonstrative”.
“... Sepse shteti dhe këto institucione janë ndërtuar mbi gjakun e dëshmorëve dhe janë të shenjta”, tha Tahiri.
Ai gjithashtu fajësoi kryeministrin Kurti dhe partinë në pushtet Lëvizjen Vetëvendosje që sipas tij, pati tendencë të krijojë vetëm drama në vend të zgjidhjeve.
“Jemi këtu si rezultat i dramave të tij (Albin Kurtit)”, tha ai.
Tahiri: Kurti ka tendencë ta bartë fajin diku tjetër
Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk i ka numrat për zgjedhjen e presidentit.
Sipas tij, nëse Kurti nuk i ka numrat, emrat e kandidatëve duhet të vijnë nga partitë opozitare.
Kërkesa e kryeministrit Kurti, për pranimin e një kandidate nga Lidhja Demokratike e Kosovës, është “tendencë për bartjen e fajit nga njëra anë në anën tjetër”, tha Tahiri në një konferencë për media.