Ndërlidhjet

Kabineti qeveritar duke duartrokitur në fund të seancës për zgjedhjen e presidentit.
Kabineti qeveritar duke duartrokitur në fund të seancës për zgjedhjen e presidentit.
  • Deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan që të zgjedhin presidentin e ri të Kosovës brenda afatit kushtetues, duke bërë që Kuvendi të shpërndahet dhe zgjedhjet mbahen brenda 45 ditësh.
  • Dy kandidatet për presidente të propozuara nga LVV, Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha, nuk u votuan në mungesë të kuorumit, pasi opozita refuzoi pjesëmarrjen në seancë.
  • LVV-ja ka thënë se ka bërë përpjekje për të arritur një zgjidhje për presidentin, por ofertat e tij janë refuzuar nga opozita. Partitë opozitare, ndërkaq, kanë kërkuar marrëveshje për presidentin, duke kundërshtuar idenë që LVV-ja t’i ketë tre pozitat: Qeverinë, Kuvendin dhe Presidencën.
12:33 28.4.2026

Arifi: Mospjesëmarrja e opozitës në seancë çon vendin në zgjedhje

Partitë politike kanë vendosur të shkojnë në zgjedhje, ka vlerësuar politologu Dritëro Arifi në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë (REL), duke shtuar se, në mungesë të opozitës në seancën për votimin e presidentit, vendi shkon në zgjedhje pavarësisht çka mund të ndodhë sot në Kuvend.

Sipas Arifit, “secila palë po mendon që ka të drejtë në atë që e pretendon”.

Ai shton se opozita, “në kushte normale”, do të duhej të shkonte në seancat për votimin e presidentit të vendit.

“Por, duke pasur parasysh që jemi në një katrahurë politike që nga viti 2025, e cila është bartur po ashtu edhe në vitin 2026, po vërehet shumë qartë që nuk ka bashkëpunim, nuk ka mirëbesim mes partive politike”, beson ai.

Ai vlerëson se përgjegjësia për situatën aktuale bie mbi të gjitha palët, por thekson se barrën kryesore e mban partia e parë, duke shtuar se nuk ka vend për arsyetime apo viktimizim.

Dritëro Arifi.
Dritëro Arifi.
13:24 28.4.2026

PDK-ja i kërkon Rushitit të tërhiqet nga gara

Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku, i bëri thirrje kandidates së propozuar për postin e presidentit, Feride Rushitit, të tërhiqet nga gara, duke e cilësuar atë si pjesë të një “loje politike antikushtetuese” që është e dëmshme për shtetin dhe për vetë atë.

Çitaku tha se PDK-ja e vlerëson angazhimin e Rushitit në shoqërinë civile, por shtoi se “në këtë moment, nderi më i madh për vendin që mund të bëjë ajo do të ishte të largohej nga kjo garë”.

Ajo paralajmëroi se PDK-ja do të angazhohet për të parandaluar veprimet që i cilësoi të rrezikshme nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, duke lënë të kuptohet se mund të organizohen protesta nëse shkohet tutje me votimin për president pa prezencën e opozitës në sallë.

“Kur një kryeministër zgjedh me vetëdije të plotë të shkelë Kushtetutën për pushtet të përkohshëm, ai bëhet rrezik për themelin e shtetit. Këtë nuk do ta lejojmë dhe këtë së bashku me qytetarët e Kosovës do ta parandalojmë”, tha ajo.

Me gjithë përpjekjet, Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur ta marrë një koment nga Rushiti për kandidaturën e saj.

Vlora Çitaku.
Vlora Çitaku.
14:20 28.4.2026

Deputetët e LVV-së kthehen në sallën e Kuvendit

Në sallën e Kuvendit të Kosovës kanë filluar të hyjnë disa nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, rreth 20 minuta pas orarit të paralajmëruar për vazhdimin e seancës për zgjedhjen e presidentit.

Sërish, asnjë deputet i opozitës nuk është parë të jetë i pranishëm. Seanca që nisi dje dhe vazhdoi edhe sot paradite është bojkotuar nga opozita, që ka bërë thirrje të ndërpriten punimet e kësaj seance meqë nuk ka kuroum.

14:36 28.4.2026

Rinis seanca, Haxhiu i bën thirrje opozitës të marrë pjesë në votim

Në nisje të seancës për zgjedhjen e presidentit, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, u ka bërë sërish thirrje deputetëve të opozitës që të jenë të pranishëm në sallë dhe të marrin pjesë në votim, duke u bazuar në detyrimet për pjesëmarrje në punimet e Kuvendit nga aktgjykime të ndryshme dhe sipas Ligjit për Deputetët.

Sipas këtij ligji, deputetët kanë obligim të marrin pjesë në seanca dhe të njoftojnë Kryetarin e Kuvendit për mungesat e tyre.

“I lus ata që të vijnë në këtë seancë, ku si pikë e rendit të ditës është zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës”, tha Haxhiu.

Haxhiu tha se e vetmja deputete që ka marrë leje për të mos qenë e pranishme sot është Afërdita Hajrizi, nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, e cila mungon për arsye shëndetësore.

Megjithatë, Gjykata Kushtetuese kishte sqaruar më 2016, në rastin e zgjedhjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, se nuk është kriter kushtetues që të gjithë 120 deputetët të jenë të pranishëm dhe të votojnë për zgjedhjen e presidentit, por mjafton përmbushja e shumicës së përcaktuar në Kushtetutë prej 80 deputetësh.

Albulena Haxhiu.
Albulena Haxhiu.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG