Ndërlidhjet

Kabineti qeveritar duke duartrokitur në fund të seancës për zgjedhjen e presidentit.
Kabineti qeveritar duke duartrokitur në fund të seancës për zgjedhjen e presidentit.
  • Deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan që të zgjedhin presidentin e ri të Kosovës brenda afatit kushtetues, duke bërë që Kuvendi të shpërndahet dhe zgjedhjet mbahen brenda 45 ditësh.
  • Dy kandidatet për presidente të propozuara nga LVV, Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha, nuk u votuan në mungesë të kuorumit, pasi opozita refuzoi pjesëmarrjen në seancë.
  • LVV-ja ka thënë se ka bërë përpjekje për të arritur një zgjidhje për presidentin, por ofertat e tij janë refuzuar nga opozita. Partitë opozitare, ndërkaq, kanë kërkuar marrëveshje për presidentin, duke kundërshtuar idenë që LVV-ja t’i ketë tre pozitat: Qeverinë, Kuvendin dhe Presidencën.
17:03 28.4.2026

Kurti: Le t’i sjellë LDK 15 nënshkrime dhe kandidati i tyre le të përballet me Rushitin

Gjatë konferencës, Kurti u pyet për 15 nënshkrimet e prezantuara një natë më parë nga LDK-ja.

Kreu i LVV-së tha se LDK nuk tregoi se për cilin kandidat të saj për president ishin nënshkrimet, duke shtuar se ato nuk i janë dërguar atij apo shefes së deputetëve të LVV-së, Arbërie Nagavcit.

Ai tha se në letrën e prezantuar nga Lumir Abdixhiku para mediave nuk shkruhej se për çfarë janë mbledhur nënshkrimet, ndonëse paraprakisht LDK-ja kishte thënë se mund të propozonte për presidente ish-kryetaren e shtetit, Vjosa Osmani.

Kurti tha se partia e tij është e gatshme që të shtojë edhe 15 nënshkrimet e nevojshme për aplikim për të propozuarin e LDK-së.

“Ne me mirësinë dhe kënaqësinë më të madhe do t’i pranojmë [nënshkrimet e LDK-së]. Dhe më pastaj, po ta kishim emrin e qartë të LDK-së se për kë bëhet fjalë, unë do të takoja kandidaten Hatixhe Hoxha që të kërkoj të tërhiqej dhe t’i shtojmë edhe 15 të tjerë dhe ta kemi Feride Rushitin dhe një kandidat tjetër. Kështu ka mundur të bëhej”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti gjatë konferencës për media.
Kryeministri Kurti gjatë konferencës për media.
17:08 28.4.2026

Kurti: Nuk e kishim të qartë përfundimin e afatit për zgjedhjen e Presidentit

Kryeministri Kurti tha se ai dhe partia në pushtet, mbrëmë më 27 prill, nuk e kishin pasur të qartë në cilën ditë ishte afati i fundit kur Presidenti duhej të zgjidhej sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ai tha se ka qenë në vazhdimësi në komunikim me partitë opozitare.

“Problemi ështe që nuk marrim përgjigje”, tha ai.

“Ne nuk e kishim të qartë edhe cili ishte afati i fundit, të them të drejtën. Ne duhej që sa më shpejt të vepronim”, shtoi ai.

Megjithatë, ai tha se rreth orës 21, më 27 prill, i ka shkruar edhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamzës dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, por nuk ka marrë përgjigje.

Më 25 mars, Gjykata Kushtetuese i kishte dhënë Kuvendit të Kosovës afat prej 34 ditësh për të zgjedhur Presidentin. Në të kundërtën, vendi shkon në zgjedhje.


17:22 28.4.2026

Çitaku: PDK nuk nënshtrohet

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, iu përgjigj akuzave të kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se partia e saj respekton Kushtetutën.

Ajo tha se Kurti “nuk e njeh bashkëpunimin, as kompromisin”.

“Ti kërkon nënshtrim. Dhe PDK nuk nënshtrohet”, shkroi ajo në Facebook.

Çitaku tha se PDK pa kushte ka votuar për marrëveshje ndërkombëtare e zgjatje buxhetore, pasi Kurti akuzoi opozitën për veprime joshtetërore dhe se po synojnë ta bllokojnë qeverisjen e tij.

“Si shkelës serik i Kushtetutës, nuk e ke problem ta përmbysësh edhe rendin kushtetues. Por, këtë nuk do ta lejojmë”, shkroi Çitaku.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.
17:34 28.4.2026

Lulzim Peci: Qëllimi i LVV-së i tejdukshëm, synon zgjedhjet në korrik

Kolegu ynë Bekim Bislimi bisedoi pasditen e së martës me Lulzim Pecin nga Instituti Kosovar për Kërkim dhe Zhvillim të Politikave lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit.

Peci i tha Radios Evropa e Lirë se zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës , kanë shënuar “kulmin e destruktivitetit institucional nga ana e politikanëve në vend”.

Sipas tij, seanca e mbrëmjes së të hënës në Kuvend, ku u zhvillua raundi i parë i votimit për president – “është lojë e LVV-së”.

“E para, që ta zgjedhin në mënyrë jokushtetuese presidentin e vendit. Pastaj, përllogaritja që opozita ta dërgojë këtë veprim në Gjykatë Kushtetuese, në mënyrë që (LVV-ja) të fitojë së paku një muaj kohë dhe pastaj zgjedhjet të mbahen më 15 korrik”, tha Peci për Radion Evropa e Lirë.

Ai shtoi se mbajtja e zgjedhjeve në atë periudhë lidhet me praninë e shtuar të mërgatës në Kosovë, votat e së cilës LVV-ja i përllogaritë në favor të saj.

Peci thekson se “loja e tejdukshme e LVV-së” është duke e aritur edhe një efekt tjetër.

“Efekti është devalvimi i institucionit të presidentit. Në asnjë vend presidenti nuk zgjidhet sikur të luash llotari, pa pasur marrëveshje të mirëfilltë politike, në rastet kur mungojnë votat për në gjë të tillë”, thotë Peci.

Duke iu referuar deklaratave të përfaqësuesve të opozitës, të cilët kanë paralajmëruar mundësinë e protestave edhe jashtë institucioneve, Peci ka shprehur drojën se “problemi mund të bartet në rrugë” dhe vendi “mund të futet në një rrugë pa krye”.

Peci nuk pret që partitë opozitare të marrin pjesë në seancën e orës 19, të paralajmëruar nga kryetarja Kuvendit, Albulena Haxhiu.

“Pse të kthehet opozita në Kuvend? Për t’iu nënshtruar diktatit të Vetëvendosjes? Opozita nuk ka pse të kthehet në Kuvend pa pasur marrëveshje politike. Në këtë situatë, ose duhet të shkohet në zgjedhje (të parakohshme parlamentare) ose duhet nënshtruar diktatit të LVV-së, rrugë tjetër nuk ka”, thekson Peci.

Sipas tij, lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit, të gjitha partitë politike, në pushtet dhe opozitë, kanë bërë veprime të përllogaritura politike të dëmshme për vendin.

Por, ai konsideron se përgjegjësia kryesore për krizën politike dhe institucionale i takon partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

“Ka pasur ndryshim të deklaratave, të qëndrimeve, të kandidatëve, sikur të luash bilardo. Kjo është përtej një logjike institucionale dhe një shteti serioz”, theksoi Peci.

Ai shtoi se zgjidhja më e mirë e situatës do të jetë që në seancën e orës 19, të martën, të mos shkelet Kushtetuta.

“Pra, të ndalet procedimi për zgjedhjen e presidentit dhe nesër të ftohen konsultimet me partitë politike për shpalljen e datës së zgjedhjeve. Tjetër rrugëdalje ligjore dhe kushtetuese, e cila e shpëton vendin nga kriza më e thellë institucionale që kur Kosova është vend i pavarur”, theksoi Peci.

Lulzim Peci, Instituti Kosovar për Kërkim dhe Zhvillim të Politikave
Lulzim Peci, Instituti Kosovar për Kërkim dhe Zhvillim të Politikave

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG