Ndërlidhjet

Kosova mbetet prapa me trajtimin e sëmundjeve të zemrës te fëmijët


Një foshnje në Klinikën e Neonatologjisë në QKUK. Fotografi ilustruese.
Një foshnje në Klinikën e Neonatologjisë në QKUK. Fotografi ilustruese.

Fëmijët me sëmundje të zemrës vazhdojnë të mos marrin trajtimet kardio-kirurgjike në Kosovë, për shkak se në vend nuk është asnjë kardiokirurg për fëmijë.

Ndër vite, shumë fëmijë me probleme në zemër kanë udhëtuar jashtë vendit për trajtim. Kurse gjatë këtij viti, në bazë të një programi, disa mjekë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer operacione edhe në Kosovë.

Bëhet fjalë për 28 fëmijë me probleme në zemër, të cilët janë operuar falas në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës nga kardiokirurgët amerikanë. Kjo po ndodh për herë të parë, pasi që fëmijët vazhdimisht janë detyruar të udhëtojnë jashtë Kosovës për të marrë shërbime shëndetësore që ndërlidhen me operacionet në zemër.

Ministri në largim i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha se me ekipin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rënë dakord që të rriten kapacitetet vendore që këta fëmijë të trajtohen edhe në Kosovë.

Ndryshe, që nga viti 2009, doktor Mazllum Belegu, nëpërmjet organizatës “Gift of Life”, ka bërë të mundur që fëmijët me probleme në zemër, të operohen falas, kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Këtë hap vullnetar ai e ka marrë në mungesë të stafit dhe kushteve të punës për operacione në zemër në Klinikën Pediatrike. Sipas tij, ndonëse kardiokirurgjia ka shënuar zhvillim të shpejtë, ndërkohë kardiokirurgjia pediatrike (për fëmijë) ka shënuar ngecje.

“Operacionet në zemër të hapur te fëmijët janë shumë specifike. Kosova vazhdon të mos ketë asnjë kardiokirurg pediatrik, çka mendoj se është mungesë e madhe, por që shpresoj shumë që me kohë do të kemi në vend edhe kuadro të tilla”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

“Ndryshe, ne në bazë të punës vullnetare, kemi dërguar fëmijë kryesisht në Amerikë për operim, por edhe në vende të tjera të Evropës. Në vitin 2009, janë dërguar vetëm dy pacientë, më pas në vitin 2010, 2011 dhe 2012 i kemi dërguar nga tre pacientë. Më pas është organizuar misioni prej anës së tyre në vitin 2012, ku kanë ardhur në Kosovë dhe i kanë përzgjedhur fëmijët me probleme në zemër dhe i kanë dërguar 27 fëmijë. Ka qenë një numër impozant. Gjatë viteve tjera ka pasur ndonjëherë më shumë, ndonjëherë më pak, por mesatarja ka qenë rreth 20. Kurse vitin e kaluar janë operuar 29 fëmijë, derisa këtë vit 28 fëmijë. Të gjithë këta fëmijë kanë vuajtur nga vrima në zemër, problem me të cilin lindin”, tha Belegu.

Në Kosovë, sipas statistikave të organeve të shëndetësisë, janë rreth 400 fëmijë në vit, që lindin me anomali në zemër. Prej tyre, rreth 200 kanë nevojë për intervenim kirurgjik, shërbim të cilin u duhet ta marrin jashtë vendit. Kështu thotë Ramush Beiqi, kardiolog-pediatër, sipas të cilit, Qendra Klinike Universitare e Kosovës nuk ka kushte e as kuadro që të bëjë operacione të zemrës tek fëmijët.

“Ne vazhdojmë të mos e kemi kardiokirurgjinë pediatrike, derisa kardiokirurgjia për të rritur mund të them se është më e lakmueshmja në rajon aktualisht. Por, kardiokirurgjia e fëmijëve është e varur prej pas luftës e deri tash, vetëm prej misioneve dhe dërgimin e fëmijëve jashtë vendit. Kosova ka shumë nevojë për kardiokirurgji pediatrike, pasi sa i përket diagnostikimit të fëmijëve me probleme në zemër jemi të avancuar”, tha Beiqi.

Sidoqoftë, Klinika Pediatrike brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, tashmë ka filluar të ndërtohet. Ky spital është donacion i Emirateve të Bashkuara Arabe, me vlerë prej 22 milionë eurosh.

Brenda këtij spitali parashihet të ketë edhe kardiokirurgji të fëmijëve, shërbim i tillë që po mungon në Kosovë.

XS
SM
MD
LG