Ndërlidhjet

Sot skadon afati për NIS-in, Serbia ende pa marrëveshje

MOL-i dhe Gazprom Neft-i në mesin e janarit arritën një marrëveshje kornizë për blerjen e aksioneve ruse prej 56.15 për qind në NIS. Afati për finalizimin e marrëveshjes është 22 maji.
MOL-i dhe Gazprom Neft-i në mesin e janarit arritën një marrëveshje kornizë për blerjen e aksioneve ruse prej 56.15 për qind në NIS. Afati për finalizimin e marrëveshjes është 22 maji.

Sot, më 22 maj, skadon afati për shitjen e aksioneve ruse në Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS), ndërsa në Beograd thonë se negociatat me kompaninë hungareze MOL nuk po shkojnë mirë.

NIS-i është nën sanksione amerikane për shkak se shumica e pronësisë është në duart e rusëve, teksa rasti e vë Serbinë mes presionit të Uashingtonit dhe varësisë së saj të vazhdueshme energjetike nga Moska.

Kompania hungareze MOL ishte parë tashmë si pronarja e ardhshme e NIS-it serb.

Por, në prag të skadimit të afatit për shitje më 22 maj – afat i caktuar nga autoritetet amerikane – në Beograd nuk ka optimizëm.

“Ky proces me MOL-in nuk po na shkon mirë, nuk po shkon shkëlqyeshëm, nuk jam shumë optimist”, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 20 maj.

Grupi MOL nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë se cilat janë pengesat në arritjen e marrëveshjes dhe nëse ka pengesa edhe me kompaninë shtetërore ruse të naftës, Gazprom Neft.

Se negociatat mes MOL-it dhe Serbisë, si aksionare pakicë, kanë ngecur, u bë e qartë në mesin e këtij muaji.

Pika kryesore e mosmarrëveshjes është funksionimi i rafinerisë së NIS-it dhe mbulimi i ardhshëm i tregut serb me derivate të naftës.

Rafineria e NIS-it në Pançevë është rafineria e vetme në Serbi.
Rafineria e NIS-it në Pançevë është rafineria e vetme në Serbi.

Autoritetet në Serbi kishin paralajmëruar më herët edhe një marrëveshje me MOL-in për rritjen me 5 për qind të pjesëmarrjes së shtetit serb në pronësinë e NIS-it, e cila aktualisht është 29.9 për qind.

MOL-i dhe Gazprom Neft-i kishin arritur në mesin e janarit një marrëveshje kornizë për blerjen e pjesës ruse prej 56.15 për qind në NIS.

Pritej që deri më 22 maj palët t’i paraqisnin Zyrës amerikane për Kontrollin e Pasurive të Huaja, OFAC, dokumentacionin për marrëveshjen e shitblerjes.

Më parë, në fund të marsit, OFAC-u e kishte zgjatur licencën për negociatat e shitjes deri në maj.

Shtetet e Bashkuara synojnë ta pengojnë Rusinë që të përdorë të ardhurat nga energjia për luftën në Ukrainë.

Për këtë arsye, administrata amerikane vendosi sanksione ndaj NIS-it në fillim të vitit 2025, por zbatimi i tyre nisi në tetor të atij viti.

Më pas, në fund të shkurtit 2026, OFAC-u i dha NIS-it një licencë pune, e cila mundësoi furnizimin me naftë të papërpunuar të rafinerisë në Pançevë, afër Beogradit.

Për shkak të sanksioneve amerikane, ishte ndërprerë transporti i naftës përmes naftësjellësit adriatik JANAF, nga Omishali në Kroaci deri te rafineria në Pançevë. Nafta për NIS-in arrin në Kroaci përmes rrugës detare.

Kjo licencë është zgjatur disa herë dhe aktualisht vlen deri më 16 qershor.

Çfarë dihet dhe çfarë nuk dihet deri tani?

Nuk dihet nëse ka mbërritur përgjigjja e MOL-it ndaj ofertës së Serbisë. Ministrja e Energjisë dhe Minierave e Serbisë, Dubravka Gjedoviq Handanoviq, kishte paralajmëruar se kjo përgjigje do të mbërrinte më 18 maj.

Kjo ministri nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse përgjigjja e MOL-it ka mbërritur dhe nëse ajo është e pranueshme për Serbinë. As vetë ministrja serbe nuk është deklaruar për këtë çështje. Nuk dihet as çfarë përmban oferta e Serbisë si aksionare e vogël.

Më herët, ministrja Gjedoviq Handanoviq kishte thënë se kërkesat e Serbisë mbeten të pandryshuara.

Ajo ka deklaruar disa herë gjatë ditëve të fundit se Serbia nuk është e kënaqur me propozimin e paraqitur, duke shtuar se çështja ka të bëjë me funksionimin e ardhshëm të rafinerisë dhe kapacitetet e përpunimit të naftës së papërpunuar.

Pompë benzine e NIS-it në Beograd.
Pompë benzine e NIS-it në Beograd.

Serbia mes NIS-it dhe Rusisë

Autoritetet në Beograd duan ta ruajnë funksionimin e plotë të NIS-it, që përfshin edhe rafinerinë edhe petrokiminë, por, në anën tjetër, nuk duan ta zemërojnë Rusinë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 12 mars për RTS se i dhemb fakti që rusët në asnjë moment nuk i kanë ofruar Serbisë ta blejë NIS-in.

Autoritetet në Serbi deri tani e kanë hedhur poshtë mundësinë që Serbia ta marrë pjesën ruse në NIS.

“Ta bëjmë Rusinë shtet armik? Të kemi gazin më të shtrenjtë të mundshëm në këtë moment? Kjo do të ndodhte në të njëjtin sekond”, u tha Vuçiq gazetarëve më 20 mars.

Pavarësisht hapave të ndërmarrë për diversifikimin e burimeve dhe rrugëve të furnizimit, Serbia vazhdon të jetë kryesisht e varur nga Rusia për furnizimin me gaz.

Vuçiq ka thënë disa herë se Serbia dëshiron ta shmangë me çdo kusht nacionalizimin e NIS-it dhe se, në rast të ndryshimit të pronësisë, do t’ia paguante palës ruse pjesën e saj.

Shfaqen edhe blerës të tjerë të mundshëm

Pikërisht kur pritej finalizimi i marrëveshjes me MOL-in, u shfaqën edhe dy blerës të tjerë të interesuar.

Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk është marrë më parë me industrinë e naftës.

I pari është Ranko Mimoviq, pronar i kompanisë “Senator dva”, pak i njohur për publikun. Ai thotë se për pjesën shumicë të NIS-it ka ofruar dy miliardë euro.

Mimoviq pretendon se i ka përmbushur kërkesat e OFAC-ut dhe se gjithë dokumentacionin e nevojshëm ia ka dorëzuar si OFAC-ut, ashtu edhe NIS-it.

Ai ka ofruar dy miliardë euro, duke thënë se ka kapital të vetin në banka dhe kontakte të mira me fonde dhe banka. Mimoviq po ashtu ka deklaruar se nuk do ta mbyllte rafinerinë e NIS-it në Pançevë.

Kompania “Senator Dva” është themeluar në Serbi në mesin e vitit të kaluar dhe për aktivitetin e saj nuk ka shumë informacione publike.

Mimoviq më herët është prezantuar në publik si biznesmen me një sërë kompanish në Serbi dhe rajon, shumë prej të cilave janë mbyllur. Aktiviteti i tij biznesor në Slloveni është shoqëruar me dyshime për mashtrime dhe pastrim parash.

Blerësi i dytë i interesuar është biznesmeni dhe politikani i njohur, Bogolub Kariq.

Kariq, i cili është kryetar i Shoqatës së Industrialistëve dhe Sipërmarrësve të Serbisë, pretendon se anëtarët e kësaj shoqate janë të gatshëm ta blejnë NIS-in me një çmim “që nuk refuzohet”.

Perandoria familjare e Kariqëve i kalon kufijtë e Serbisë. Në Bjellorusi, ata arritën majat e industrisë së pasurive të paluajtshme dhe fituan shuma të mëdha, sipas raporteve të kompanisë.

Kompania e tyre ishte nën sanksione amerikane për shkak të, siç u tha, aktiviteteve të saj në Bjellorusi dhe lidhjeve me udhëheqësin autoritar Aleksandar Lukashenka, ndërsa Bogolub Kariq është sanksionuar nga Bashkimi Evropian.

Kompania “Dana Holdings” ka pretenduar se gjatë gjithë viteve të veprimtarisë në Bjellorusi nuk është marrë kurrë me asnjë punë me shtetin bjellorus, ndërsa Bogolub Kariq ka thënë se nuk ka bazë për sanksione ndaj tij.

Gjatë viteve ’90, Kariq mbështeti regjimin e Sllobodan Millosheviqit, ndërsa në fund të viteve ’90 ishte për një kohë të shkurtër ministër pa portofol në Qeverinë e Serbisë.

Vuçiq e hodhi poshtë ofertën e pretenduar të Mimoviqit për blerjen e NIS-it.

“Kurrë në jetë nuk është marrë me këtë punë dhe tani do ta blejë ai? Pyetet, besoj, edhe Serbia. Ja, nuk mund ta blesh”, u tha Vuçiq gazetarëve më 7 maj.

Kur u përmend Kariq, Vuçiq tha se “më vjen mirë që tani i kemi dy veta me nga dy miliardë euro, shpresoj se do të investojnë në Serbi”.

“Serbia do t’i jepte 2.2 miliardë euro, por kemi qenë korrektë ndaj palës ruse”, tha Vuçiq.

Cilat janë të drejtat e Serbisë?

Marrëveshja për shitjen dhe blerjen e aksioneve të NIS-it mes Serbisë dhe Gazprom-it parasheh që asnjëra palë të mos shesë ose transferojë pronësinë te një palë e tretë pa ia ofruar më parë palës tjetër mundësinë e blerjes.

Marrëveshja parasheh po ashtu që, përveç nëse është përcaktuar ndryshe, asnjë e drejtë apo detyrim nuk mund të transferohet pa pëlqimin paraprak me shkrim të palës tjetër.

Serbia, si hisedare më e vogël, sipas marrëveshjes, ka të drejtë vote për ndryshimet në statusin e kompanisë dhe për disponimin me pasurinë.

Kjo e drejtë ekziston për aq kohë sa Serbia zotëron të paktën 10 për qind të aksioneve në kapitalin aksionar të NIS-it.

Gazprom-i është zotuar se rafineria e NIS-it nuk do ta ndërpresë punën dhe se sasia e përpunimit të naftës së papërpunuar në NIS mund ta plotësojë kërkesën e tregut vendas për produktet bazë të naftës.

Serbia në vitin 2008 ia shiti Gazprom-it rus 51 për qind të NIS-it për 400 milionë euro, pa tender, me detyrimin që pala ruse të investojë në këtë kompani të paktën 500 milionë euro deri në vitin 2012, si dhe të ndërtohet një gazsjellës përmes Serbisë.

Struktura pronësore e NIS-it është ndryshuar disa herë, por kompania vazhdon të jetë në pronësi shumicë ruse, me 56.15 për qind.

NIS-i është kompania e vetme në Serbi që nxjerr dhe përpunon naftë, nga e cila varet edhe funksionimi i rafinerisë së saj.

Ky material është pjesë e rubrikave
XS
SM
MD
LG