Ndërlidhjet

Si u bë shalqiri simbol i solidaritetit me palestinezët?


Një grua gjatë një proteste në Los Angjelos, ku u kërkua armëpushim në Gazë. 15 nëntor 2023.
Një grua gjatë një proteste në Los Angjelos, ku u kërkua armëpushim në Gazë. 15 nëntor 2023.

Associated Press

Gjatë tre muajve të fundit, në mbishkrime, bluza dhe balona si dhe në postimet në rrjetet sociale, një imazh është shfaqur në protestat në mbarë botën kundër luftës mes Izraelit dhe Hamasit: shalqiri.

Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor, duke nxitur luftën në Gazë.

Ngjyrat e shalqirit të prerë – me tul të kuq, me vija me ngjyrë të gjelbër dhe të bardhë dhe me fara të zeza – janë të njëjta me ato në flamurin palestinez. Nga Nju Jorku dhe Tel Avivi në Dubai dhe Beograd, ky frut është bërë simbol i solidaritetit, duke bërë së bashku aktivistët që nuk flasin gjuhën e njëjtë apo nuk i përkasin kulturës së njëjtë, por ndajnë një kauzë të përbashkët.

Për të shmangur censurën e ashpër, disidentët kinezë kishin qenë nismëtarë të përdorimit të “mesazheve të koduara” apo mënyra të tjera kreative, dhe së fundmi janë parë imazhe me Winnie the Pooh për t’u tallur me presidentin kinez, Xi Jinping. Njerëzit nga e mbarë bota kanë nisur të përdorin mesazhe të tilla të koduara për të shmangur algoritmet ndëshkuese në TikTok, Instagram dhe platformat e tjera.

Tani, interneti është mbushur me shenja pikoreske – imazhe, emoji dhe tjera kode tipografike – që po përdoren për të shfaqur mospajtimin politik. Emoji i shalqirit është shembulli më i fundit.

Një karficë me simbolin e shalqirit gjatë një proteste ku u bë thirrje për armëpushim në luftën Izrael-Hamas. Dubai, 3 dhjetor 2023.
Një karficë me simbolin e shalqirit gjatë një proteste ku u bë thirrje për armëpushim në luftën Izrael-Hamas. Dubai, 3 dhjetor 2023.

Në këtë tekst mund të mësoni më shumë se si shalqiri u shndërrua në një simbol proteste në Bregun e pushtuar Perëndimor dhe Gazë, si dhe simbol i solidaritetit me palestinezët përmes internetit.

Konteksti historik

Pas luftës së Lindjes së Mesme më 1967, Qeveria izraelite shtypi shfaqjen e flamurit palestinez në Gazë dhe Bregun Perëndimor. Në Ramallah më 1980, ushtria mbylli një galeri që udhëhiqej nga tre artistë sepse ata shfaqën art politik dhe punë artistike duke përdorur ngjyrat e flamurit palestinez: kuq, gjelbër, zi dhe bardh.

Tre artistët më pas u thirrën në bisedë nga një zyrtar izraelit. Sipas artistit dhe organizatorit të ekspozitës, Sliman Mansour, zyrtari izraelit i tha atij: “Është e ndaluar të organizosh ekspozitë pa marrë leje nga ushtria, dhe së dyti është e ndalur të vizatosh me ngjyrat e flamurit palestinez”. Zyrtari mori një shalqi si shembull për artin që do të shkelte rregullat e ushtrisë, deklaroi Mansour javën e kaluar për Associated Press.

Në protesta, njerëzit publikisht filluan të valëvisnin flamuj me imazhin e shalqirit.

“Ka tregime të një djali të rri që eci nëpër rrugë me një copë të kësaj peme, duke rrezikuar që të arrestohej nga ushtarët izraelitë”, shkroi autori Mahdi Sabbagh, i lindur në Jerusalem. “Kur e shoh një shalqi, mendoj për shpirtin e pathyer të popullit tonë”.

*Video: Kronologjia e konfliktit izraelito-palestinez

Historiku i konfliktit izraelito-palestinez
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:57 0:00

Nga mesi i viteve ’90, kur izraelitët dhe palestinezët arritën marrëveshje të përkohshme të paqes, e deri një vit më parë kur mori detyrën Qeveria aktuale nacionaliste e Izraelit, ngritja e flamurit palestinez ishte një problem i madh. Tri dekada më vonë, ai u bë “sërish simbol kombëtar”, tha Mansour.

Një vit më parë, ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare nga ekstremi i djathtë, Itamar Ben-Gvir, ndaloi vendosjen në vende publike të flamurit palestinez. Ky vendim u prit me kundërshtim të madh. Në përgjigje, Zazim, një grup aktivistësh arabë dhe izraelitë, vendosën letra ngjitëse me imazhin e shalqirit nëpër taksitë në Tel Aviv dhe në letrat ngjitëse shkruhej: “Ky nuk është flamuri palestinez”.

“Mesazhi jonë për Qeverinë është i qartë”, tha organizata përmes një deklarate të shkruar. “Ne gjithmonë do të gjejmë mënyra për të shmangur çdo ndalesë absurde dhe ne nuk do të ndalemi së luftuar për lirinë e shprehjes dhe demokraci – qoftë nëse këtu përfshihet flamurin e LGBTQ+ apo flamurin palestinez”.

Për disa, përqafimi i ngjyrave të flamurit ka të bëjë për përpjekjet për liri dhe barazi dhe jo domosdoshmërish me shtetësi.

“Kurrë nuk më kanë interesuar flamujt apo nacionalizmi”, tha Mayssoun Sukarieh, ekspert i studimeve për Lindjen e Mesme në Kolegjin Mbretëror të Londrës. “Por, kur bëhet fjalë për Palestinën, ai është një flamur i një populli të kolonizuar i cili asnjëherë nuk e pa pavarësinë. Dhe sepse ka qenë i ndaluar, është shndërruar më shumë në një simbol të qëndresës sesa nacionalizmit”.

Protestë në Filipine në mbështetje të palestinezëve. 9 dhjetor 2023.
Protestë në Filipine në mbështetje të palestinezëve. 9 dhjetor 2023.

Emoji i shalqirit

Shalqinjtë për një kohë të gjatë kanë qenë një element i rëndësishëm i ushqimit në rajon, që përdoren në disa receta, sikurse në një sallatë mjaft popullore në Gazën jugore, me origjinë nga fiset beduine arabe.

Gjithnjë e më shumë, aktivistët e rij kanë nisur të përdorin emoji-n e shalqirit, duke bërë thirrje për një armëpushim në Gazë. Emoji-t mund të ngatërrojnë algoritmet që avokuesit thonë se kompanitë e teknologjive përdorin për të kufizuar postimet me fjalët kyçe sikurse “Gaza” dhe madje edhe “palestineze”.

“[Emoji-n] e shalqirit, mendoj se kjo është hera e parë që unë kam parë që ai të përdoret gjerësisht në formë mbështetjeje. Dhe kjo për mua shënon një rritje të dukshme të censurës të përmbajtjes palestineze”, tha Jillian York, drejtoreshë për lirinë ndërkombëtare të shprehjes në Fondacionin Electronic Frontier.

Simboli i shalqirit gjatë protestës kundër luftës Izrael-Hamas. 6 nëntor 2023.
Simboli i shalqirit gjatë protestës kundër luftës Izrael-Hamas. 6 nëntor 2023.

York, me bazë në Berlin, ka analizuar politikat e kompanisë Meta. Përderisa “ndalesa e fshehtë” apo dukshmëria e kufizuar e postimeve të caktuara, mund të jetë e vështirë që të vërehet, organizatat avokuese jofitimprurëse që studiojnë të drejtat digjitale në Lindjen e Mesme thanë se kanë vërejtur njëanshmëri të madhe, veçanërisht në platformat e Meta-s, Facebook dhe Instagram. Meta nuk ka thënë shumë për këtë, por ka kërkuar që të citohet një deklaratë e kompanisë e lëshuar në tetorin e vitit të kaluar.

“Censura është disi e dukshme” në Instagram, tha York. Në mesin e tetorit, njerëzit filluan të vërenin nëse në biografinë e dikujt në Instagram thuhej “palestinez” në gjuhën angleze dhe bashkëngjitur kishte një emoji të flamurit palestinez dhe “Lavdërimi i qoftë Zotit” në gjuhën arabe, ky aplikacion përkthente tekstin në “terrorist”. Pas kësaj, Meta kërkoi falje publikisht.

Një protestuese me një bluzë me imazhin e shalqirit. Aman, Jordani 22 dhjetor 2023.
Një protestuese me një bluzë me imazhin e shalqirit. Aman, Jordani 22 dhjetor 2023.

Shalqiri nuk është simboli i vetëm që përdoret nga aktivistët. Shenja të tjera të solidaritetit global me palestinezët përfshijnë çelësat, lugët, ullinjtë, pëllumbat, lulëkuqet dhe shallin ‘keffiyeh’. Në nëntor, për t’u lidhur me mesazhin paqësor të Ditës së Armëpushimit, kur shumë britanikë tradicionalisht vendosin karfica me lulëkuqe, protestuesit këtë vit vendosën të përdornin karfica të tilla, por me ngjyrë të bardhë, për të kujtuar viktimat e të gjitha luftërave. Në shënimin e kësaj dite, mijëra persona marshuan në rrugët e Londrës duke bërë thirrje për përfundimin e luftës në Gazë.

Në Shtetet e Bashkuara, Zëri Hebre për Paqe përforcoi imazhet e shalqirit dhe muajin e kaluar bëri thirrje për armëpushim në Gazë. Ky grup shfaqi posterë në Nju Jork me ngjyrat e flamurit palestinez dhe me shalqinj në formë trekëndëshi, duke përdorur simbolin trekëndësh ACT UP, të grupit të aktivistëve për AIDS-in.

Jason Rosenberg, anëtar i të dyja organizatave tha se “imazhi që kemi krijuar tregon se lufta jonë për çlirim dhe lufta për t’i dhënë fund epidemisë është e lidhur thellësisht me luftën palestineze”.

Farat

Një tjetër arsye që shalqiri mund të rezonojë: ka fara. Është një shprehje që shpesh i atribuohet poetit grek, Dinos Christianopoulos, që është mjaft popullore në mesin e aktivistëve: “Ata deshën të na groposnin; por ata nuk e dinin se ne ishim fara”.

“Ju mund ta shtypni një shalqi. Ju mund ta shkatërroni një frutë, por farat janë pak më të vështira që të shtypen”, tha Shawn Escarciga, një artist që krijoi dizajnin e koalicionit të organizatave. “Është vërtetë e fuqishme që jeta mund të dalë nga diçka kaq e vogël dhe kaq e qëndrueshme – dhe që mund të përhapet kaq, kaq lehtë”.

Protesta para Qendrës Lincol më 1 dhjetor 2023.
Protesta para Qendrës Lincol më 1 dhjetor 2023.

Imazhi i një shalqiri të prerë në formë trekëndore, me fara, u pa gjatë protestës së grupeve të aktivistëve në Qendrën Lincoln në Nju Jork, dhe që atëherë ky imazh është përhapur në internet. Kjo ndodh shpesh, pra që arti që del nga lëvizjet protestuese të përhapet gjithandej.

“Artistët gjithmonë kanë qenë në ballë të revolucionit, të qëndresës, të politikës në shkallë të ndryshme”, tha Escarciga. “Ne po e bëjmë këtë, duke përdorur këtë imazh ikonik, sepse AIDS ka përfunduar dhe lufta padyshim që nuk ka përfunduar”.

Ofensiva ajrore, detare dhe tokësore e Izraelit në Gazë ka vrarë më shumë se 24.000 persona, rreth 70 për qind prej tyre gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territorin e kontrolluar nga Hamasi. Ky institucion nuk bën dallimin në mes të civilëve dhe luftëtarëve të vrarë.

Aktivistët në mbarë botën kanë vazhduar që të bëjnë thirrje për paqe dhe për një armëpushim të përhershëm. Izraeli ka thënë se nëse e ndalon luftën tani, pa e shtypur Hamasin, një gjë e tillë do të ishte fitore për radikalët palestinezë të cilët sulmuan jugun e Izraelit më 7 tetor dhe vranë afër 1.200 persona dhe rrëmbyen edhe afër 250 të tjerë.

“Ne po shohim se flamujt palestinezë po ndalohen, edhe emoji-t me këtë flamur po ndalohen dhe, po ashtu fjala ‘Palestinë’ po censurohet online”, tha Escarciga. “Por, ky imazh që kapërcen gjuhën, kapërcen kulturën dhe algoritmet, vërtetë mund të arrijë deri te njerëzit”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku
XS
SM
MD
LG