Ndërlidhjet

SHBA-ja synon krijimin e një force ndërkombëtare në ujërat rreth Iranit dhe Jemenit


Jemen, foto nga arkivi.

Një gjeneral i lartë amerikan ka thënë se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që të krijojnë një koalicion ushtarak ndërkombëtar për të mbrojtur ujërat rreth Iranit dhe Jemenit.

Gjenerali i marinës, Joseph Dunford, tha se iniciativa ka për qëllim të "sigurojë lirinë e lundrimit" në rajon, përmes të cilit sigurohen rrugë të rëndësishme tregtare.

Muajin e kaluar, SHBA-ja akuzoi Iranin për sulme ndaj cisternave të naftës.

Gjenerali Joseph Dunford.
Gjenerali Joseph Dunford.

Gjenerali Dunford tha se SHBA-ja është në bisedime me një numër vendesh të cilat kanë "vullnet politik" për të mbështetur këtë plan.

Sipas planit, SHBA-ja do të siguronte anije "komanduese dhe kontrolluese", tha ai. Megjithatë, qëllimi do të ishte që vendet e tjera të ofrojnë anije për të ngritur patrullat afër dhe për të shoqëruar anijet tregtare nëpër zonë.

Gjenerali Dunford po ashtu tha se SHBA-ja do të "punonte drejtpërdrejt me ushtarakët për të identifikuar aftësitë specifike" të çdo vendi që duhet ta mbështesë iniciativën.

Çfarë po ndodh në këtë rajon?

Ngushtica e Hormuzit dhe Bab al-Mandab janë lokacionet strategjike detare, që sigurojnë qasje nga oqeani në Gjirin Persik dhe Detin e Kuq.

Gjenerali tha se madhësia e iniciativës varet nga numri i vendeve që vendosin të marrin pjesë.

"Me një numër të vogël të kontribuuesve, mund të kemi një mision të vogël. Ne do të zgjerojmë atë, krahas numrit të vendeve që janë të gatshëm të marrin pjesë ", tha ai.

Çdo ditë, afro katër milionë fuçi nafte kalojnë nëpër Mandab Bab-al për pjesën tjetër të botës.

SHBA akuzuan Iranin për sulmin ndaj dy cisternave të naftës në qershor, në ngushticën e Hormuzit - një akuzë e mohuar nga Irani.

Disa ditë më vonë, një fluturake amerikane pa pilot u rrëzua nga forcat iraniane në Gjirin Persik.

Irani tha se droni kishte shkelur hapësirën ajrore iraniane dhe përmes rrëzimit të tij po dërgonte një "mesazh të qartë në Amerikë".

SHBA-ja këmbënguli se avioni kishte qenë mbi ujërat ndërkombëtare.

Presidenti amerikan, Donald Trump shkroi më pas se “Irani bëri një gabim shumë të madh!".

Irani ka thënë se do të mbyllë Ngushticën e Hormuzit nëse nuk do të jetë jetë në gjendje që të eksportojë naftë.

Pse kjo sjellje e Iranit?

SHBA-ja ka vendosur sanksione ndaj eksporteve të naftës iraniane, pasi dëshiron që Irani të rinegociojë një marrëveshje bërthamore.

"Irani nuk po kërkon luftë me asnjë vend, por ne jemi plotësisht të përgatitur për të mbrojtur Iranin", tha gjenerali Hossein Salami, kreu i Gardës Revolucionare Islamike e Iranit, pas rrëzimit të dronit.

Ndërkohë tensionet midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Iranit po rriten, pasi Britania tha se regjimi iranian ishte "pothuajse me siguri" përgjegjës për sulmet ndaj dy cisternave të naftës në qershor.

Ndërkohë, Teherani ka njoftuar se ka rritur nivelet e uraniumit të pasuruar, i cili shërben për krijimin e armës bërthamore.

Ky veprim ka alarmuar vendet perëndimore, të cilat i kanë kërkuar Iranit të respektojë marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, të cilën e ka nënshkruar me disa vende evropiane, Rusinë, Kinën dhe SHBA-në.

Me marrëveshjen e vitit 2015, Irani ka kufizuar aktivitetin bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.

Por, vitin e kaluar, SHBA-ja është tërhequr nga kjo marrëveshje duke thënë se ajo nuk kufizon mjaftueshëm kapacitetet e Iranit për zhvillimin e armës bërthamore.

SHBA-ja ka thënë se Irani paraqet rrezik për rajonin dhe botën dhe se kurrë nuk do ta lejojë të posedojë armë bërthamore.

Zyrtarët iranianë janë ankuar se palët e mbetura në marrëveshje - Britania, Franca, Gjermania, Kina dhe Rusia - nuk kanë arritur t'i zbusin efektet e sanksioneve të SHBA-së mbi ekonominë e Iranit.

Por, pas informacioneve për rritjen e nivelit të uraniumit të pasuruar nga ana e Iranit, fuqitë evropiane i bën thirrje Teheranit të tërhiqet nga hapat e fundit për të rritur nivelin e uraniumit të pasuruar.

Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar më 9 korrik, Gjermania, Britania, Franca dhe Bashkimi Evropian shprehën "shqetësim të thellë se Irani nuk po përmbush disa nga angazhimet e tij, sipas marrëveshjes bërthamore të vitit 2015".

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG