Ndërlidhjet

Raportohet se SHBA-ja dhe Irani kanë arritur marrëveshje në parim për zgjatjen e armëpushimit

Një burrë kalon një rrugë pranë një billboardi të madh politik përgjatë Sheshit Enghelab në qendër të Teheranit, më 26 maj 2026.
Një burrë kalon një rrugë pranë një billboardi të madh politik përgjatë Sheshit Enghelab në qendër të Teheranit, më 26 maj 2026.

Disa media amerikane dhe ndërkombëtare kanë raportuar se Shtetet e Bashkuara dhe Irani e kanë arritur një marrëveshje në parim për ta zgjatur armëpushimin e tanishëm, dhe se ajo duhet ta marrë dritën e gjelbër nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Reuters raportoi të enjten vonë, duke cituar katër burime, se marrëveshja do ta zgjasë armëpushimin edhe për 60 ditë të tjera dhe do ta mundësojë qarkullimin e lirë në Ngushticën strategjike të Hormuzit, ndërkohë që negociatorët vazhdojnë t’i shtjellojnë çështjet më të vështira, siç është programi bërthamor i Teheranit.

Ky lajm vjen mes raportimeve nga agjencitë iraniane të lajmeve se forcat e vendit kishin nisur të enjten sulme me raketa, të cilat fillimisht besohej se ishin të shtëna paralajmëruese, drejt anijeve në Ngushticën e Hormuzit.

Ndërkohë, SHBA-ja njoftoi se kishte vendosur sanksione të reja ndaj tregtisë së naftës ushtarake të Iranit, duke synuar tetë anije të përfshira në transportimin e produkteve iraniane të naftës drejt tregjeve globale.

Megjithëse kjo nuk do të ishte marrëveshja më gjithëpërfshirëse e armëpushimit që Trump kishte thënë se SHBA-ja po kërkonte, marrëveshja e re - nëse konfirmohet - do të ishte hapi më i madh drejt paqes qëkurse SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulmet ajrore ndaj Iranit më 28 shkurt, të cilat çuan në përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme.

Reuters tha se Trump ende nuk e ka miratuar marrëveshjen, ndërsa Shtëpia e Bardhë nuk deshi të komentojë.

Megjithatë, nënpresidenti JD Vance u tha gazetarëve se Uashingtoni “nuk ka arritur ende në atë pikë” në bisedimet me Teheranin, por se palët janë afër.

“Është e vështirë të thuhet saktësisht kur ose nëse presidenti do ta nënshkruajë memorandumin e mirëkuptimit. Po diskutojmë ende për disa pika të formulimit”, tha Vance.

“Nuk mund të garantoj se do të arrijmë deri aty, por tani për tani ndihem mjaft optimist”, shtoi ai.

Teherani nuk i ka komentuar këto raportime, të cilat u bënë fillimisht nga Axios. Agjencia iraniane Tasnim, duke cituar një burim, tha se teksti i marrëveshjes ende nuk ishte finalizuar ose konfirmuar.

Mes të tjerash, AFP, dpa, CNN, The New York Times, Fox News dhe CBS News cituan burime që thanë se ishte arritur një marrëveshje në parim për zgjatjen e armëpushimit.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, gjatë një deklarate në Shtëpinë e Bardhë, refuzoi të konfirmojë marrëveshjen, por u tha gazetarëve se “ndoshta i kemi bazat e një marrëveshjeje”.

Axios raportoi se kushtet e marrëveshjes ishin finalizuar kryesisht të mërkurën, por shtoi se për të dyja palët nevojitet miratimi nga udhëheqësit e tyre politikë.

Armëpushimi 30-ditor SHBA-Iran hyri në fuqi fillimisht në fillim të prillit, dhe para se të skadonte Trumpi vendosi ta zgjatë atë për kohë të papërcaktuar.

Ky material është pjesë e rubrikave
XS
SM
MD
LG