Ndërlidhjet

SHBA-ja zgjeron sanksionet kundër Sirisë dhe mbështetësve të saj


Një makinë ushtarake ruse patrullon në Siri. Qershor, 2020.
Një makinë ushtarake ruse patrullon në Siri. Qershor, 2020.

Sanksionet e reja amerikane, në ekonominë e shkatërruar të Sirisë, kanë nisur së zbatuari më 17 qershor, në tentim të mohimit të presidentit sirian, Bashar al-Assad dhe mbështetësve të tij, ndonjë përfitim të mundshëm nga fitoret ushtarake.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian veçse kanë sanksionuar Sirinë, mirëpo masat e fundit nga Uashingtoni janë zgjeruar, me qëllim të ndëshkimit të secilit individ, institucion apo kompani, që kryen biznese me Damaskun.

Projektligji me sanksione të reja mund të përdoret për të shënjestruar mbështetësit kyçë të Assadit: Rusinë, Iranin dhe grupin militant të Libanit, Hezbollah.

Por, ky dokument do të ketë ndikim edhe te lojëtarët rajonalë siç është Jordania, Libani, Iraku dhe shtetet e Gjirit Arab, që synojnë të arrijnë pajtueshmëri me Sirinë, e cila tenton të rindërtohet pas nëntë vjetëve të luftës civile shkatërruese.

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Kelly Craft, i ka thënë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, se sanksionet janë të menduara për “të privuar regjimin e Assadit nga mbështetja dhe të ardhurat, që ka shfrytëzuar për të kryer mizori të shkallës së lartë dhe shkelje tjera të të drejtave të njeriut, të cilat parandalojnë arritjen e një rezolute politike si dhe dëmtojnë perspektivat për paqe”.

Craft ka thënë se Assad duhet të zbatojë një rezolutë të Këshillit të Sigurimit, që bën thirrje për paqe, zgjedhje dhe tranzicion politik, bashkë me rinisjen e bisedimeve të udhëhequra nga Kombet e Bashkuara.

“Regjimi i Assadit duhet të marrë një vendim të qartë: të ndjekë rrugën politike, të krijuar nga Rezoluta 2254, në të kundërtën i lë Shtetet e Bashkuara pa zgjidhje tjetër, përveç se të vazhdojnë pezullimin e fondeve për rindërtim dhe vendosjen e sanksioneve kundër regjimit dhe mbështetësve të tij financiarë”, ka thënë Craft.

Projektligji me sanksione, që është miratuar nga Kongresi amerikan në dhjetor të vitit të kaluar, mban emrin e një ish-fotografi të ushtrisë siriane, i cili ka ikur më 2014 nga Siria, bashkë më 55,000 imazhe që tregojnë brutalitetin nëpër burgjet e Assadit, prej kur ai ka nisur shtypjen e protestave më 2011.

Një ushtar amerikan patrullon teksa një helikopter rus fluturon mbi qytetin sirian al-Maikiyah. 3 qershor, 2020.
Një ushtar amerikan patrullon teksa një helikopter rus fluturon mbi qytetin sirian al-Maikiyah. 3 qershor, 2020.

Qeveria siriane ka fituar kontrollin e pjesës më të madhe të territorit, pas luftimeve me fraksione të rebelëve, duke përjashtuar një enklavë në veriperëndim të Idlibit dhe disa zona të kontrolluara nga forcat kurde.

Përgjatë një dekade luftë, në të cilën kanë vdekur rreth 700,000 persona, regjimi është duke u përballur tani me 'Fitoren e Pirros'.

Qytetet dhe qytezat mbesin të shkatërruara, miliona persona janë pa shtëpi dhe përballen me varfëri, si dhe ekonomia është në prag të shkatërrimit.

Kritikët e sanksioneve kanë thënë se këto masa tentojnë të pengojnë përpjekjet për rindërtim të Sirisë dhe të lëndojnë civilët sirianë.

Ata po ashtu thonë se këto masa kanë qëllime joreale të largimit të Assadit nga pushteti, pasi forcat e tij kanë siguruar fitore ushtarake kundër opozitës së ndarë.

“Nëntë vjet të luftës dhe vdekja e qindra mijëra personave, nuk ka ndryshuar qasjen e Assadit dhe nuk e ka shtyrë atë të mendojë për moralin e pozitës së tij. A mund të arrinë sanksionet atë që nuk ka mundur lufta? Duket se ka pak mundësi”, ka thënë Joshua Landis, drejtor i Qendrës për Studime të Lindjes së Mesme në Universitetin Oklahoma, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

“Megjithatë, sanksionet dihet se do të dëmtojnë njerëzit e pafajshëm. Sirianët veçse kanë rënë në gjunjë. Ato vetëm do t’i shtyjnë edhe pak më poshtë”, ka thënë ai.

Ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia ka thënë se SHBA-ja e ka konfirmuar se “qëllimi i këtyre masave është që të përmbysen autoritetet legjitime të Sirisë”.

Ambasadori kinez në OKB, Zhang Jun, ka thënë se “shtetet e ndjeshme sikurse Siria, janë duke u përballur me pandeminë e koronavirusit, andaj vendosja e sanksioneve shtesë është jonjerëzore dhe mund të shkaktojë katastrofa shtesë”.

Hassan Nasrallah, lider i Hezbollahut, i ka përshkruar sanksionet si “armën e fundit të Amerikës”, që synojnë ta përballin me uri popullin sirian.

“Aleatët që i kanë qëndruar afër politikisht dhe ushtarakisht Sirisë, nuk do ta braktisin atë, në prag të luftës ekonomike dhe nuk do të lejojnë rënien e saj”, është zotuar, Nasrallah.

Sanksionet pritet të godasin edhe Libanin pjesërsisht, në kohën kur ky shtet po përballet me krizë të pashembullt ekonomike.

Siria është rruga e vetme tokësore e Libanit për të kaluar në pjesën tjetër të botës arabe.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG