Ndërlidhjet

SHBA: Ushtria e Mianmarit ka kryer gjenocid ndaj minoritetit Rohingya


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Shtetet e Bashkuara zyrtarisht përcaktuan se ushtria e Mianmarit ka kryer gjenocid dhe krime kundër njerëzimit në dhunën kundër minoritetit Rohingya, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Blinken paralajmëroi se për sa kohë që junta do të jetë në pushtet, askush në Mianmar nuk do të jetë i sigurt.

Duke njoftuar për këtë vendim, Blinken tha se sulmet ndaj minoritetit Rohingya ishin “të gjera dhe sistematike” dhe se dëshmitë tregonin se ka pasur qëllim të qartë që të shkatërrohet ky minoritet mysliman.

Sipas zyrtarëve amerikanë dhe aktivistëve, një deklaratë e tillë nga Uashingtoni, që thotë se është kryer gjenocid, mund të rrisë përpjekjet për të mbajtur përgjegjës gjeneralët e Mianmarit dhe për të parandaluar mizori të tjera.

Refugjatët Rohingya në Bangladesh. 26 shtator 2017.
Refugjatët Rohingya në Bangladesh. 26 shtator 2017.

Ushtria e Mianmarit kishte nisur një operacion ushtarak më 2017, që detyroi të paktën 730,000 myslimanë Rohingya të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe të iknin drejt Bangladeshit. Gjatë këtij operacioni ushtarak ndodhën vrasje, dhunime masive dhe zjarrvënie. Më 2021, ushtria e Mianmarit, përmes një puçi mori pushtetin.

“Që prej puçit ushtarak, ne kemi parë ushtrinë e Miamarit duke përdorur taktikat e njëjta. Tani, ushtria po shënjestron këdo në Mianmar që e sheh si kundërshtare apo që minon udhëheqjen shtypëse”, tha Blinken.

“Për ata që nuk e kanë kuptuar para puçit, dhuna brutale e ushtrisë e nisur që nga shkurti i vitit 2021 e ka bërë të qartë se askush në Burma [Mianmar] nuk është i sigurt nga mizoritë për aq kohë sa ata janë në pushtet”, shtoi ai.

Disa ditë pasi Joe Biden mori detyrën e presidentit të SHBA-së, gjeneralët e Minamarit, të udhëhequr nga komandanti i përgjithshëm, Min Aung Hlaing, morën pushtetin më 1 shkurt 2021, pasi pretenduan se në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit të vitit 2020 kishte pasur manipulime. Këto zgjedhje i kishte fituar partia e Aung San Suu Kyi. Grupet vëzhguese të zgjedhjeve kishin thënë se nuk kanë parë të dhëna që sugjerojnë për mashtrime në zgjedhje,

Pas puçit, forcat e armatosura shtypën protestat, duke vrarë mbi 1,600 persona dhe duke arrestuar pothuajse 10,000 të tjerë, përfshirë edhe udhëheqësen civile, Suu Kyi.

XS
SM
MD
LG