Ndërlidhjet

Biden: SHBA do ta mbrojë Tajvanin nëse sulmohet nga Kina


Presidenti i SHBA-së, Joe Biden.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden.

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se Shtetet e Bashkuara do t’i dilnin në mbrojtje Tajvanit, nëse ai sulmohet nga Kina.

“Po, jemi zotuar për këtë”, tha Biden në një takim me qytetarë, që u transmetua drejtpërdrejt nga rrjeti televiziv CNN.

Deklarata e tij është në kundërshtim me politikën afatgjate të SHBA-së për ta ndihmuar Tajvanin në ndërtimin e mbrojtjes së tij, por jo për ta ndihmuar atë ushtarakisht në një konflikt të mundshëm.

Deklarata po ashtu vjen më pak se dy muaj pas tërheqjes së SHBA-së nga Afganistani. SHBA-ja ka qenë 20 vjet e angazhuar ushtarakisht në këtë vend.

Presidenti iu përgjigj një anëtari të audiencës, i cili pyeti nëse Shtetet e Bashkuara do të jenë në gjendje të vazhdojnë të përballojnë zhvillimin e shpejtë ushtarak të Kinës.

“Mos u shqetësoni nëse ata do të jenë më të fuqishëm. Kina, Rusia dhe pjesa tjetër e botës e dinë që ne kemi ushtrinë më të fuqishme në historinë e botës”, tha Biden.

“Unë dua që Kina ta kuptojë se ne nuk do të tërhiqemi”, tha presidenti, për të shtuar se ai nuk do që të nisë Luftë të re të Ftohtë me Kinën.

Megjithatë, një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha më vonë se Biden nuk ka shpallur ndonjë ndryshim të politikës amerikane dhe se nuk ka një ndryshim të tillë.

“Marrëdhënia e mbrojtjes e SHBA-së me Tajvanin udhëhiqet nga Akti i Marrëdhënieve me Tajvanin. Ne do të vazhdojmë përkushtimin tonë sipas Aktit, do të vazhdojmë të mbështesim vetëmbrojtjen e Tajvanit dhe do të vazhdojmë të kundërshtojmë çdo ndryshim të njëanshëm të status quo-së”, tha zëdhënësi.

Tajvani do ta mbrojë veten, tha zëdhënësi i zyrës presidenciale, Xavier Chang, në përgjigje të deklaratës së Bidenit.

Tensionet midis Tajvanit dhe Kinës janë rritur kohëve të fundit, sidomos për shkak të inkursioneve kineze në zonën e mbrojtjes ajrore të Tajvanit.

Tajvani e konsideron veten shtet sovran, por Kina e sheh atë si provincë të shkëputur. Pekini nuk e ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës për të arritur bashkimin.

Ministri i Mbrojtjes i Tajvanit, Chiu Kuo-cheng, tha në fillim të këtij muaji se marrëdhëniet midis Tajvanit dhe Kinës janë në nivelin më të keq të tyre në më shumë se 40 vjet. Ai parashikoi se Kina do të jetë në gjendje ta pushtojë Tajvanin deri në vitin 2025.

Kina thotë se Tajvani është çështja më e ndjeshme dhe më e rëndësishme në lidhjet e saj me Shtetet e Bashkuara dhe ka dënuar, siç ka thënë, “bashkëpunimin e fshehtë” midis Uashingtonit dhe Taipeit.

Duke folur për gazetarët këtë javë, ambasadori i Kinës në Kombet e Bashkuara, Zhang Jun, tha se Kina ndjek një “ribashkim paqësor” me Tajvanin, derisa u përgjigjet “përpjekjeve separatiste” të Partisë së tij Demokratike Progresive.

“Ne nuk jemi ngatërrestarë. Përkundrazi, disa vende - SHBA-ja në veçanti - po ndërmarrin veprime të rrezikshme, duke e çuar situatën në Ngushticën e Tajvanit në një drejtim të rrezikshëm”, tha ai.

Biden dhe presidenti i Kinës, Xi Jinping, pritet të mbajnë një takim virtual në fund të vitit.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se besojnë se angazhimi i drejtpërdrejtë me Xinë është mënyra më e mirë për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy ekonomive më të mëdha në botë.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG