Ndërlidhjet

Trump zotohet për imigrim të bazuar në "vlera"


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Teksa ka prezantuar planin e ri për imigrim, presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë të enjten se dëshiron të krijojë dallim të madh me demokratët, duke synuar të përmbysë politikën dekadëshe të imigrimit që bazohet në familje, duke krijuar një qasje të re që favorizon të rinjtë “briliantë” dhe punëtorë me kualifikim të lartë, transmeton agjencia e lajmeve AP.

Megjithatë, plani i tij është konsideruar më shumë si dokument i fushatës sesa gjithçka tjetër.

“Ne dëshirojmë që të vijnë imigrantët. Ne i mirëpresim me dyer të hapura”, ka thënë Trump.

“Në ditët e sotme ne diskriminojmë njerëzit gjenialë dhe ata briliantë. Nuk do ta lejojmë këtë pasi të miratohet ky dokument”, është shprehur ai.

Edhe para fjalimit të Trumpit, demokratët, votat e të cilëve do të nevojiten për miratimin eventual të kësaj politike, kanë kundërshtuar këtë plan dhe kanë vënë në pikëpyetje përkushtimin e Partisë Republikane ndaj familjeve.

“A janë duke thënë ata se familja nuk përbën vlerë?”, ka pyetur kryesuesja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

“A janë duke thënë se shumica e njerëzve që kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara në historinë e shtetit tonë se nuk kanë merita sepse nuk kanë një diplomë të inxhinierisë?”

“Natyrisht se ne dëshirojmë të kemi më të mirët në shtetin tonë”, ka thënë demokratja Pelosi, duke shtuar se termi “vlerë” është mospërfillës sepse nënkupton “meritë vetëm në sytë e Donald Trumpit”.

Plani i ri i presidentit amerikan është krijuar për muaj të tërë, dhe është drejtuar nga dhëndri i tij, Jared Kushner, i cili është takuar privatisht me grupe biznesore, liderë fetarë dhe konservatorë, ashtu që të gjejë një mes të përbashkët në çështjen që ka ndarë republikanët në dysh.

Kushner ka thënë se shumë mbrojtës të çështjes së imigrimit kanë qenë të qartë se çfarë kundërshtojnë, mirëpo kanë vështirësi në të artikuluarit e asaj që duan.

Trump nuk ka përmendur dhëndrin e tij gjatë prezantimit, mirëpo ka përmendur se propozimi nuk është hartuar nga politikanët, ndonëse në të kanë kontribuuar pjesëtarë të angazhuar për zbatim të ligjit.

Teksa është duke ekzistuar një krizë humanitare në kufi me Meksikën dhe zyrtarët kanë thënë këtë javë se fëmija i katërt, migrant nga Guatemala ka vdekur teksa kanë qenë nën mbajtje, Trump është zotuar për të ndaluar kalimet e paligjshme kufitare “përmes pakos më efikase për siguri kufitare që ka ekzistuar ndonjëherë”.

Pavarësisht kësaj, ai nuk ka përmendur vdekjen e fëmijës.

Në kuadër të planit, zyrtarët kërkojnë që të krijohet një fond për modernizim të kufirit.

Në plan po ashtu përfshihen thirrjet për ndërtim të murit në disa zona si dhe për të ristrukturuar sistemit e azilit, në mënyrë që të pranohen më pak aplikacione dhe të largohen nga faza e shqyrtimit ato kërkesa që nuk përmbushin kushtet.

Përveç kësaj, në plan përfshihet edhe një propozim që lejon pranimin e donacioneve publike për realizimin e premtimit të presidentit amerikan për ndërtim të murit.

Në plan nuk përfshihet se çfarë do të bëhet me miliona imigrantë që veçse janë duke jetuar në këtë shtet në mënyrë ilegale, duke përfshirë qindra mijëra persona që janë dërguar në SHBA si fëmijë, të cilët për demokratët janë prioritet.

Aty nuk përmendet as zvogëlimi i shkallës së imigrimit, çështje që kanë përmendur një varg republikanësh më parë.

Republikanët e Kongresit, që janë njoftuar me planin e Kushnerit, kanë mirëpritur këtë plan, ndonëse nuk e kanë mbështetur plotësisht këtë qasje.

Nëse do të miratohet ashtu siç është prezantuar, ky propozim do të ndryshonte rrënjësisht mënyrë se si ky shtet do t’i qasej imigrimit. Shtetet e Bashkuara kanë preferuar tradicionalisht ofrimin e lejeqëndrimit për pjesëtarë të familjeve të imigrantëve.

Sipas planit të Trumpit, SHBA-ja nuk pritet të kufizojë numrin e këtyre dokumenteve (Green Card), apo rreth 1 milion sa ofron çdo vit përmes sistemit të lotarisë.

Megjithatë nëse plani do të miratohej, prioritet do të kishin personat dhe edukim të lartë dhe njohuri të gjuhës angleze.

Sa u përket familjeve të migrantëve, vetëm një pjesë e tyre do të përfitonin nga ky sistem i lotarisë, përkatësisht vetëm gratë apo burrat dhe fëmijët, në krahasim me prindërit dhe motrat e vëllezërit e rritur.

Lisa Koop, udhëheqëse e shërbimeve ligjore në Qendrën Kombëtare për Drejtësi të Imigrantëve, ka thënë se plani i Trumpit ka të bëjë më shumë me prezantim dhe shfaqje sesa zgjidhje të problemit.

Mirëpo Mark Krikorian, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Studime të Imigrimit, që mbron politikën e zvogëlimit të shkallës së imigrimit, duke thënë se ka mirëpritur “këtë përpjekje shumë pozitive”.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG