Ndërlidhjet

Ish-sekretari Mattis: Trump po tenton të na ndajë neve


Prokurorët në shtetin amerikan, Minesota kanë plotësuar një prej kërkesave kyçe të protestave për barazi mes racave në Shtetet e Bashkuara, duke zgjeruar hetimeT në rastin e vdekjes së afrikano-amerikanit, George Floyd.

Prokurori i Përgjithshëm i Minesotas, Keith Ellison ka thënë më 3 qershor se tre zyrtarë policorë, Tou Thao, 34-vjeçar, J. Alexander Kueng, 26-vjeçar, dhe Thomas Lane, 37-vjeçar, janë akuzuar për ndihmë dhe bashkëfajësi në vrasje, andaj janë lëshuar fletarrestet për secilin prej tyre.

Përveç kësaj, prokurorët kanë rritur akuzat kundër Derek Chauvin, zyrtarit që ka bërë presion me gju në qafën e Floydit, derisa e ka ndaluar atë më 25 maj.

Chauvin tani përballet me vrasje të shkallës së dytë, që është e ndëshkueshme me 40 vjet burgim, në vend të asaj të tretë sa ka qenë fillimisht.

Teksa ka bërë të ditura akuzat e reja, Ellison i ka cilësuar protestat e nisura pas vdekjes së Floydit si “dramatike dhe të nevojshme”, teksa është zotuar se do të kërkojë drejtësi për viktimën.

Protestuesit kanë mirëpritur akuzat e reja, ndonëse demonstratat kanë vazhduar për natën e tetë me radhë në SHBA, ku janë kërkuar akuza për të rënda ndaj praktikave të zyrtarëve policorë dhe çështje tjera të lidhura me racizmin.

Shumica e protestave kanë qenë të qeta, në krahasim me disa net më parë, ndonëse në qytetin e Nju Jorkut, policia ka shpërndarë disa turma protestuesish, të cilët kanë shkelur rregullin e kufizimit në lëvizjes, të vendosur pas raportimeve për plaçkitje gjatë protestave.

Në Uashington, protestuesit kanë qenë të qetë, nën syrin e zyrtarëve të agjencive federale.

Si u zgjeruan protestat?

Protestat kanë nisur në Mineapolis, një ditë pas vdekjes së Floydit, proces të incizuar nga një kalimtar në rrugë.

Përveç SHBA-ë, ky rast ka nxitur reagime edhe përtej territorit amerikan.

Protestat kombëtare kanë qenë kryesisht të qeta, sidomos gjatë ditës. Mirëpo ndërkohë në orët e vona të natës është raportuar për dhunë dhe shkatërrim të pronave gjatë këtyre ditëve, derisa është thënë se është policia ka përdorur forcë të tepruar.

Protestat në SHBA
Ju lutem të prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:02 0:00

Veturat janë djegur, bizneset janë plaçkitur, xhamat e dritareve janë thyer dhe janë raportuar të paktën 12 vdekje, ndonëse kushtet në shumicën prej tyre mbesin të paqarta.

Shumë zyrtarë policorë dhe protestues janë plagosur.

Rrjeti televiziv amerikan, CNN, ka raportuar se rreth 10,000 persona janë arrestuar.

Në përgjigje të dhunës gjatë natës, shumë qytete kanë marrë vendim për vendosje të kufizimeve në lëvizje.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka rritur presionin ndaj guvernatorëve për angazhim të trupave të Gardës Kombëtare.

Në të kundërtën, ka thënë se do të angazhojë ushtrinë amerikane kundër trazirave dhe plaçkitjeve rreth vdekjes së Floydit.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper, i pyetur për kërcënimin e presidentit më 3 qershor, ka thënë se kundërshton përdorimin e forcës për qëllim të zbatimit të ligjit në këtë kohë.

“Mundësia e përdorimit të forcave ushtarake për rolin e zbatimit të ligjit, duhet të shfrytëzohet vetëm si mundësi e fundit dhe vetëm në situatën më urgjente”, ka thënë ai.

“Ne nuk jemi në një situatë të tillë tani”.

Protestat në Los Anxhelos
Protestat në Los Anxhelos

Trump është duke u përballur me kritika të mëdha nga demokratët dhe republikanët për mënyrën e menaxhimit të protestave dhe për mosrespektim të të drejtave të protestuesve, duke i quajtur me raste “anarkistë”.

Presidenti amerikan në anën tjetër ka thënë se dëshiron të rikthejë zbatimin e ligjit dhe t’iu japë fund trazirave.

Reagimi i ish-Sekretarit Mattis

Në një reagim të jashtëzakonshëm, ish-Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, që ka shërbyer në kohën e Trumpit, ka akuzuar presidentin për “ndarje” të Amerikës dhe kërcënim të themeleve të kushtetutës.

“Ju nuk duhet të shpërqendroheni nga një numër i vogël i shkelësve të ligjit. Protestat definohen nga dhjetëra mijëra njerëz që janë duke insistuar që ne të rrisim vlerat – vlerat tona si njerëz dhe vlerat tona si komb”, ka shkruar Mattis në një deklaratë të publikuar në The Atlantic.

Ish gjenerali i marinës amerikane po ashtu ka kritikuar Trumpin dhe Esperin për shqyrtim të përdorimit të ushtrisë për zbatim të ligjit dhe angazhim të Gardës Kombëtare në shpërndarje të protestave paqësore afër Shtëpisë së Bardhë më 1 qershor.

“Në shtëpi, ne duhet ta përdorim ushtrinë vetëm kur kërkohet, në raste tejet të rralla nga guvernatorët shtetërorë. Militarizimi i përgjigjes sonë, siç e kemi parë në Uashington, krijon konflikt – konflikt të rremë – në mes të ushtrisë dhe shoqërisë civile. Kjo gjë gërryen bazën morale që siguron lidhje të besueshme në mes të burrave dhe grave në uniform dhe shoqërisë, të cilën janë betuar se do ta mbrojnë dhe të cilës i përkasin”, ka shkruar Mattis.

“Donald Trump është presidenti i parë që kam parë në jetën time, i cili nuk tenton të bashkojë popullin amerikan – madje as nuk pretendon të provojë”, ka shkruar mes tjerash Mattis.

“Në të kundërtën, ai po tenton të na ndajë neve”.

Obama: Ngjarjet e fundit, mundësi për hapje të syve ndaj racizmit sistematik

Kombi amerikan ka dëgjuar edhe nga ish-presidenti Barack Obama, teksa janë rritur përpjekjet për të arritur një pajtueshmëri shoqërore.

Obama ka thënë se ngjarjet e fundit kanë qenë “tragjike” mirëpo edhe kanë qenë mundësi që njerëzit të hapin sytë ndaj trendeve të racizmit sistematik në SHBA.

Duke folur përmes një video-konference për drejtësi racore dhe reforma policore, ish-presidenti amerikan ka thënë se njerëzit me ngjyrë janë përballur me shumë dhunë dhe shumë shpesh ajo dhunë ka ardhur nga zyrtarë për zbatim të ligjit.

Ai i ka bërë thirrje secilit kryetar shteti që të zotohet për të rishikuar politikat e forcave policore ndaj komunitetit dhe të përkushtohet për të bërë ndryshim.

Ngjarjet e fundit ofrojnë mundësi që shteti të luftojë problemet racore “dhe të ndryshojë Amerikën e të ndikojë në rritje të idealeve”, ka deklaruar mes tjerash Obama.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG