Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nënshkruar vendimin për tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga 66 organizata ndërkombëtare, që administrata i konsideroi si “joefektive dhe të dëmshme”.
Ne mesin e tyre janë Komisioni i Venecias i Këshillit të Evropës, Mekanizmi Ndërkombëtar për Tribunale Penale (pasardhësi i Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë), UN Women, e Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC).
Në këtë të fundit, Kosova bën pjesë, së bashku me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe kjo organizatë synon forcimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe shoqëror në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore dhe synon afrimin e rajonit me Bashkimin Evropian.
Në Komisionin e Venecias - që është trup këshillues për çështje kushtetuese dhe jep rekomandime për parlamentet dhe qeveritë – SHBA-ja ishte vëzhguese e jo anëtare.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, i tha Radios Evropa e Lirë se tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga Komisioni i Venecias, do të zbehë peshën dhe rëndësinë e mendimeve të këtij institucioni në Ballkanin Perëndimor.
"Kjo shihet pikërisht në faktin se ka pasur raste kur rekomandimet e Komisionit të Venecias janë ridërguar për sqarim dhe për një opinion të dytë, me rastin e Kosovës në vitet e fundit si shembull tipik, pikërisht për shkak se SHBA-ja në Kosovë, gjatë Qeverisë Kurti II, nuk ka treguar ndonjë interesim për ndërhyrje në çështjet e sundimit të ligjit, siç ka qenë rasti në të kaluarën", tha ai.
Profesor Hasani ishte përfaqësuesi i parë i Kosovës në Komisionin e Venecias të Këshillit të Evropës, kur Kosova u bë anëtare e këtij institucioni në shtator të vitit 2014.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se këto organizata janë “antiamerikane ose të padobishme”.
Po ashtu, SHBA-ja është tërhequr nga disa organizata të tjera të Kombeve të Bashkuara përfshirë nga Departamenti për Çështje Ekonomike dhe Sociale, Qendra Botërore e Tregtisë, Komisioni i Ligjit Ndërkombëtar, Zyra e Përfaqësuesit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm për Fëmijë në Konflikte të Armatosura, Zyra e Përfaqësuesit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm për Dhunën Seksuale në Konflikt, Fondi i OKB-së për Demokraci dhe një sërë organizatash dhe traktatesh ndërkombëtare.
“Nuk do të vazhdojmë të shpenzojmë burime, kapital diplomatik dhe peshën legjitimues të pjesëmarrjes sonë në institucione që janë të parëndësishme për interesat tona ose bien ndesh me to. Ne e refuzojmë inercinë dhe ideologjinë në favor të maturisë dhe qëllimit. Ne kërkojmë bashkëpunim aty ku ai u shërben njerëzve tanë dhe do të qëndrojmë të palëkundur aty ku nuk ndodh”, u tha në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.
Sekretari Rubio shtoi se me këtë tërheqje po materializohet premtimi kyç i presidentit Trump se do të “ndalojë subvencionimin e burokratëve globalistë që veprojnë kundër interesave tona. Administrata Trump do ta vendosë gjithmonë Amerikën dhe amerikanët në radhë të parë”.
SHBA-ja tha se po vazhdon rishikimi i organizatave të tjera ndërkombëtare.
Ky vendim i presidentit Trump pasqyron mosbesimin e tij të kamotshëm ndaj institucioneve multilaterale, veçanërisht Kombeve të Bashkuara. Ai ka vënë vazhdimisht në pikëpyetje efektivitetin, koston dhe llogaridhënien e organizatave ndërkombëtare, duke argumentuar se ato shpesh nuk i shërbejnë interesave të Shteteve të Bashkuara.