Nisin rezultatet e para
Kandidati republikan për president, Donald Trump, fitoi në Indiana dhe Kentaki, raportojnë AP, Reuters dhe CNN.
Sipas burimeve të njëjta, kandidatja demokrate për presidente, Kamala Harris, fitoi në Vermont.
Votimet janë duke vazhduar ende në disa shtete.
Si do të ndikojë rezultati i zgjedhjeve amerikane në Kosovë?
Rezultati i zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara do të bëjë jehonë në të gjithë botën - edhe në Kosovë.
Çfarë do të thoshte presidenca e Harrisit për Kosovën dhe çfarë ajo e Trumpit?
Dy ekspertë amerikanë kanë folur për rubrikën Expose të Radios Evropa e Lirë.
Parregullsitë që u raportuan në zgjedhje
Në shtetin juglindor të Xhorxhias, dy qendra votimi u evakuuan për rreth 30 minuta, për shkak të kërcënimeve me bomba, të cilat, sipas FBI-së, duket se u bënë nga domenet ruse.
FBI-ja tha se qendrat e votimit në disa shtete ishin cak i kërcënimeve, të cilat autoritetet i konsideruan si jo të besueshme.
Qysh më herët, zyrtarët amerikanë të inteligjencës dhe sigurisë akuzuan Rusinë dhe Iranin për shtimin e sulmeve kibernetike dhe të fushatave të dezinformimit, me synimin për të shkaktuar përçarje në zgjedhje.
Në Uashington, policia arrestoi një burrë që u përpoq të hynte në ndërtesën e Kongresit me pistoletë.
Policia tha se burri u ndalua gjatë kontrollit të sigurisë në Qendrën e Vizitorëve të Kongresit.
Në shtetin e Pensilvanisë, vëzhguesit republikanë të votimeve thanë se nuk u lejuan të hynin në disa qendra votimi, por çështja më vonë u rregullua.
Disa probleme teknike në Illinois dhe Kentaki i vonuan gjithashtu votimet, por edhe këto çështje u rregulluan shpejt.
Shiu i furishëm në Misuri shkaktoi përmbytje që e bënë vështirë të arritshëm një vendvotim në zonën e Shën Luisit dhe ndërprenë energjinë elektrike në një tjetër.
Zyrtarët zgjedhorë thanë se përdorën gjeneratorë për të vazhduar operacionet zgjedhore.
Nis mbyllja e vendvotimeve në disa shtete
Qendrat e para të votimit në SHBA janë mbyllur tashmë në shtetet e Indianës dhe Kentakit.
Të fundit do të mbyllen në orën 01:00, që me orën e Kosovës i bie 07:00, më 6 nëntor.