Harris fiton në Uashington
Kandidatja demokrate, Kamala Harris, fitoi në Uashington, duke siguruar 12 vota të Kolegjit Zgjedhor.
Rezultati, megjithatë, nuk është befasi, pasi këtë shtet e kanë fituar kandidatët demokratë së paku nga viti 1992 e këndej.
Xhorxhia në prag të shpalljes së rezultatit
Xhorxhia është një prej shteteve të papërcaktuara, që do të ketë ndikim të madh në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.
Ky shtet ka 16 vota në Kolegjin Zgjedhor.
Disa media, si BBC, raportojnë se Trump prin në këtë shtet, ku mbi 90% e votave tashmë janë numëruar.
Rruga deri te 270 votat
SHBA-ja përfshin 50 shtete dhe shumica e tyre votojnë për të njëjtën parti politike në çdo palë zgjedhje.
Por, janë shtatë shtete - të njohura si të papërcaktuara - ku secili kandidat mund të fitojë.
Këto shtete janë: Nevada, Arizona, Karolina e Veriut, Xhorxhia, Uiskonsini, Miçigani dhe Pensilvania.
Shtetet me më shumë njerëz vlejnë më shumë, pasi përkthehen në vota nga Kolegji Zgjedhor.
Kolegji Zgjedhor ka gjithsej 538 vota.
President i ardhshëm do të jetë kandidati që merr 270 ose më shumë vota të Kolegjit Zgjedhor.
Të dy kandidatët do të duhet të fitojnë në së paku tri shtete të papërcaktuara për të dalë në epërsi.
Qendrat e votimit u mbyllën në më shumë se 40 shtete
Nga 50 shtetet e SHBA-së, ku u zhvilluan zgjedhjet presidenciale, qendrat e votimit u mbyllën në më shumë se 40 prej tyre, përfshirë Qarkun e Kolumbias.
Deri më tani, Harris dhe Trump siguruan fitore në shtetet ku pritej.
Rezultati përfundimtar do të varet nga shtatë shtetet e papërcaktuara: Pensilvania, Xhorxhia, Karolina e Veriut, Miçigani, Arizona, Uiskonsini dhe Nevada.
Qendrat e fundit të votimit do të mbyllen në 01:00, që me orën e Kosovës i bie 07:00, më 6 nëntor.