Ndërlidhjet

Donald Trump
Donald Trump

Donald Trump zgjidhet presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara

  • Donald Trump është zgjedhur presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara.
  • Ai ka siguruar 295 prej 270 votave të nevojshme të Kolegjit Elektoral për t'u shpallur president.
  • Trump është zotuar se do ta "shërojë" kombin, teksa u është drejtuar mbështetësve nga Florida.
  • Në garën e 5 nëntorit ishin demokratja Kamala Harris, aktualisht nënpresidente, dhe republikani Donald Trump, president nga viti 2017 deri më 2021.
  • Zgjedhja e Amerikës do t’i formësojë padyshim politikat globale, në kohën kur bota përballet me tensione në rritje dhe sfida komplekse të sigurisë.
10:03 6.11.2024

Çfarë po ndodh?

Ju që sapo jeni zgjuar, apo sapo na jeni bashkuar, ja çfarë duhet të dini:

  • Numërimi i votave në SHBA po zhvillohet me ritëm të shpejtë.
  • Kandidati i republikanëve për president, Donald Trump, ka siguruar 267 vota të Kolegjit Zgjedhor, pasi ka siguruar fitoren në tri shtete kyçe të papërcaktuara: Pensilvani, Karolinën e Veriut dhe Xhorxhia.
  • Në katër shtetet e tjera të papërcaktuara - Uiskonsin, Nevadë, Miçigan dhe Arizonë - rezultati nuk është shpallur ende, por në shumë prej tyre prin Trump.
  • Për t’u shpallur president, një kandidati i duhen të paktën 270 vota elektorale. Pra, Trump është afruar shumë.
  • Kandidatja e demokratëve për presidente, Kamala Harris, ka siguruar 224 vota të Kolegjit.
  • Vetë Trump e ka shpallur veten fitues, dhe u është drejtuar mbështetësve të tij nga Florida. Ai është zotuar se do ta shërojë SHBA-në.
  • Liderë prej gjithë botës, përfshirë shefen e BE-së, shefin e NATO-s, presidentin e Ukrainës, dhe të vendeve tjera, e kanë uruar Trumpin për fitore.
  • Megjithatë, fitorja e tij ende nuk është shpallur zyrtarisht.
09:56 6.11.2024

Shefja e BE-së uron Trumpin dhe e fton të punojnë së bashku

Shefja e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka uruar, gjithashtu, Trumpin “për fitore si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara”, dhe ka thënë se mezi pret të punojë me të për të avancuar një agjendë të fuqishme transatlantike.

“BE-ja dhe SHBA-ja janë më shumë sesa aleate. Ne jemi të lidhur nga partneriteti i vërtetë mes njerëzve tanë, duke lidhur 800 milionë qytetarë. Këto lidhje janë të thella, kanë rrënjë në historinë e përbashkët, në përkushtimin për liri dhe demokraci, dhe synimet e përbashkëta për siguri dhe mundësi për të gjithë”, ka thënë von der Leyen përmes një komunikate.

Ajo e ka ftuar Trumpin për të punuar së bashku në partneritet transatlantik.

“Miliona punë dhe miliarda në tregti dhe investime në dy anët e Atlantikut varen nga dinamika dhe stabiliteti i marrëdhënieve tona ekonomike”, ka thënë mes tjerash shefja e BE-së.

Trump i është afruar fitores, mirëpo ende nuk është shpallur zyrtarisht fitues i zgjedhjeve të 5 nëntorit.

09:45 6.11.2024

Netanyahu uron Trumpin për "rikthimin historik"

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka uruar Trumpin dhe gruan e tij Melanian për “rikthimin më të madh ndonjëherë”.

“Rikthimi juaj historik në Shtëpinë e Bardhë mundëson një fillim të ri për Amerikën dhe një përkushtim të ri të madh për aleancën e mrekullueshme mes Izraelit dhe Amerikës. Kjo është fitore e madhe!”, ka thënë Netanyahu në X.

Kandidati i republikanëve për president të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i është afruar fitores në zgjedhje, pasi ka siguruar 267 prej 270 votave të nevojshme të Kolegjit Elektoral për t'u shpallur president.

Megjithatë, ai nuk është shpallur zyrtarisht president i SHBA-së.

09:38 6.11.2024

Rama dhe Mickoski urojnë Trumpin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i është bashkuar listës së liderëve botërorë që kanë uruar Trumpin për fitoren në zgjedhjet e 5 nëntorit, ndonëse ai ende nuk është shpallur zyrtarisht fitues.

“Ka qenë nder të punoj me ju sa keni qenë president për t’i forcuar lidhjet në mes të të dyja shteteve. Do të kem privilegjin të punoj me ju si presidenti i 47-të, për të rritur partneritetin për paqe dhe përparim të mëtejmë”.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristian Mickoski, ka thënë se vendi i tij mbetet i përkushtuar në ndërtimin e lidhjeve të forta me SHBA-në.

“Kjo fitore është një konfirmim i besimit të thellë të popullit amerikan në parimet e lirisë dhe demokracisë. Ne shpresojmë që të thellojmë më tej partneritetin dhe bashkëpunimin tonë të fortë, veçanërisht në fushat e sigurisë, zhvillimit ekonomik dhe reformën demokratike. Maqedonia [e Veriut] mbetet e përkushtuar në ndërtimin e lidhjeve edhe më të forta me SHBA-në, si aleat dhe mik strategjik, që do të vazhdojë të forcojë stabilitetin dhe përparimin e të gjithë rajonit”, ka thënë mes tjerash Mickoski.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG