Pacolli në festën e Trumpit
Behgjet Pacolli, biznesmen dhe dikur në pozita të rëndësishme në Kosovë, ka treguar se ka marrë pjesë mbrëmë në festimet e republikanëve për rizgjedhjen e Trumpit si president.
“Ndjenjë e veçantë të isha i ftuar në Mar A Lago në festimin e kësaj fitoreje të madhe”, ka thënë ai, duke publikuar disa fotografi në rrjetet sociale, që mund t’i shihni më poshtë.
A e dini çfarë është "Muri i Kaltër" dhe si i përcaktoi zgjedhjet presidenciale amerikane?
E kuptoni në këtë material:
Fitorja e Trumpit nënkupton investim në tregje aksionesh, për disa
Tregu Dax i aksioneve është rritur për 1.5 për qind, pasi Donald Trump është shpallur president i Shteteve të Bashkuara.
Robert Halver, udhëheqës i analizave të tregjeve në Bankën Baader, ka thënë se “meqë Donald Trump njihet për ekonomi, mund të konsiderohet se vlera e aksioneve në botë do të rritet. Me një përjashtim: Kina, sepse ai [Donald Trump] do të vendosë definitivisht tarifa ndaj Kinës. Kjo do t’ua vështirësojë jetën kinezëve”.
“Gjëja e mirë është se tregjet evropiane të aksioneve do të mund të përfitojnë. Sepse, ne ende jemi mirë të pozicionuar në sektorin industrial, dhe jemi duke i ndihmuar Amerikës që të bëhet e madhe sërish në sektorin industrial”, ka thënë ai.
Një urim më ndryshe për Trumpin nga Mitrovica e Veriut
Liderë shtetërorë e partiakë në Kosovë, tashmë e kanë uruar Trumpin për fitore në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit.
Ata e kanë uruar përmes postimeve në Facebook apo X – platformë e njohur më parë si Twitter.
Por, banorët e Mitrovicës së Veriut kanë shkuar një hap tutje.
Duke vendosur një poster në shesh, me fotografi të Trumpit dhe afër flamurin amerikan dhe atë serb, me shkronja cirilike, kanë shkruar: "Urime fitorja, president!"
Mbrapa posterit qëndron Partia Demokratike Serbe e Aleksandar Arsenijeviqit.