Në pritje të paraqitjes së Harrisit...
Demokratja Kamala Harris ka humbur në garën për t’u bërë gruaja e parë presidente e Shtëpisë së Bardhë.
Donald Trump, republikan, ka shënuar fitore bindëse.
Harris nuk ka folur ende publikisht, pavarësisht se është bërë e qartë qysh në mëngjesin e së mërkurës se Trump do të gëzojë fitoren, pasi ka shënuar fitore në shtetet që njihen si të papërcaktuara.
Harris e ka anuluar një fjalim të planifikuar për mbrëmë në Universitetin Howard në Uashington, ku i ka përfunduar studimet.
Gjatë fushatës së tij presidenciale, Donald Trump bëri premtime të mëdha për atë që mund të pritej nëse ai do të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë.
“Me mbështetjen tuaj, ne do ta kthejmë fuqinë, dominimin, prosperitetin dhe krenarinë e vendit tonë”, tha Trump dy javë para ditës së zgjedhjeve.
“Kjo do të jetë epoka e re e artë e Amerikës”.
Tani që Trump e ka fituar një mandat të dytë si president, çfarë mund të pritet nga administrata e tij e re?
Ku pritet të jetë fokusi i Trumpit?
Përgjatë fushatës zgjedhore, Trump ka çuar përpara gjithçka që lidhet me ekonominë.
Është zotuar për të luftuar inflacionin, dhe për ta bërë “Amerikën të përballueshme sërish”.
Tjetër pikë e nxehtë është imigrimi.
Trump është zotuar për ndërtim të plotë të murit mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, të cilin e kishte premtuar edhe në mandatin e parë.
Fitorja e Trumpit është duke u përgëzuar nga liderë prej të gjitha anëve të botës. Ja disa:
- Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan: Përgëzoj mikun tim, Donald Trump, që është zgjedhur edhe një herë president, pas një gare të madhe në zgjedhje. Në këtë epokë të re, që do të nisë me zgjedhjet e bëra nga populli amerikan, shpresoj që lidhjet turko-amerikane të forcohen, të përfundojnë krizat rajonale dhe globale.
- Kryeministri i Indisë, Narendra Modi: Urimet më të përzemërta mikut tim për këtë fitore historike. Teksa jeni ngritur nga suksesi i mandatit të kaluar, mezi pres të rikthej bashkëpunimin, për të forcuar partneritetin strategjik mes Indisë dhe SHBA-së. Së bashku, le të punojmë për vende më të mira për popujt tanë, dhe të promovojmë paqen globale dhe stabilitetin”.
- Mbreti Salman i Arabisë Saudite dhe princi i kurorës, Mohammed bin Salman, e kanë uruar Trumpin për fitore, ka thënë shkurt agjencia shtetërore saudite.
- Presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula Da Silva: Përgëzoj presidentin Trump për fitore. Demokracia është zëri i njerëzve dhe duhet respektuar gjithmonë. Bota ka nevojë për dialog dhe punë të përbashkët për të pasur më shumë paqe dhe zhvillim.