Macron dhe Trump bisedojnë për Ukrainën dhe Lindjen e Mesme
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kishte një “diskutim shumë të mirë” me Donald Trumpin për krizat e mëdha të botës gjatë një bisede telefonike që zgjati 25 minuta, tha zyra e Macronit.
Macron shprehu qëndrimet e tij për “rëndësinë” që SHBA-ja ta marrë parasysh Bashkimin Evropian dhe ata folën edhe për Ukrainën dhe për Lindjen e Mesme, tha zyra e presidentit francez.
Presidenti francez tha se është i gatshëm të punojë me Trumpin në këto çështje dhe për të bërë përpjekje drejt paqes dhe stabilitetit, sipas zyrës së tij.
Presidenti Biden e uron Trumpin
Presidenti Joe Biden i ka telefonuar presidentit të zgjedhur, Donald Trump, për ta uruar për fitoren dhe e ka ftuar atë në Shtëpinë e Bardhë për të biseduar për kalimin e pushtetit.
Shtëpia e Bardhë tha se stafi i saj do ta caktojë një datë në “të ardhmen e afërt”.
Bideni pritet t’i drejtohet kombit për rezultatin e zgjedhjeve të enjten.
Biden gjithashtu foli edhe me nënpresidenten Kamala Harris për ta uruar për fushatën e saj.
Prokurori i Posaçëm, Smith në bisedime për "t’i dhënë fund" ndjekjes penale ndaj Trumpit
Prokurori i Posaçëm Jack Smith është në bisedime të vazhdueshme me udhëheqësinë e Departamentit amerikan të Drejtësisë për të gjetur mënyrën se si t’i japë fund ndjekjes penale ndaj Donald Trumpit, sipas një zyrtari të këtij Departamenti, raporton CNN.
Diskutimet pritet të zgjasin disa ditë.
Zyrtarët e Departamentit amerikan të Drejtësisë janë duke i shqyrtuar opsionet për mënyrën se si t’i përfundojnë dy rastet penale ndaj Trumpit – atë për përpjekjet e tij për ta zhbërë rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020 dhe keqmenaxhimin e dokumenteve të klasifikuara – duke respektuar një memorandum të Zyrës së Këshillit Ligjor të departamentit në lidhje me aktakuzat apo ndjekjet penale ndaj tij.
Trump ka thënë shpesh se synon ta shkarkojë Smithin dhe t’u japë fund rasteve federale kundër tij.
Më shumë rreth këtyre rasteve penale ndaj presidentit të zgjedhur amerikan mund të lexoni në artikujt më poshtë:
Kamala Harris e uron Donald Trumpin
Nënpresidentja Kamala Harris i ka telefonuar të mërkurën presidentit të zgjedhur, Donald Trump, për ta uruar për fitoren në zgjedhje, ka thënë për Associated Press një zyrtar i lartë i saj.
Zyrtari foli në kushte anonimiteti.
Ai tha se Harrisi bisedoi me Trumpin për rëndësinë e kalimit të pushtetit në mënyrë paqësore.
Harris pritet ta mbajë një fjalim sonte më vonë, ku do ta pranojë disfatën.