Ndërlidhjet

Shoqëria civile i drejtohet BE-së: Na i hiqni vizat


Foto ilustruese
Foto ilustruese

Pjesëtarë të shoqërisë civile dhe gazetarë të ndryshëm të Kosovës, i kanë shkruar një letër të hapur Komisionit Evropian, Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Bashkimit Evropian, përmes së cilës kërkojnë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Në këtë letër ata kanë numëruar edhe arsyet pse qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë që edhe më tutje të mbesin populli i vetëm i izoluar në rajon.

Jehona Lushaku, politologe tha për Radion Evropa e Lirë se qytetarët e Kosovës duhet t’i tregojnë Evropës se janë të vetmit që nuk e gëzojnë të drejtën e lirisë së lëvizjes brenda Zonës së Schengenit.

Sipas saj, shumë pak të rinj të Kosovës kanë pasur fatin të shohin ndonjë shtet evropian, ngaqë edhe vizitat studimore janë projekte vështirë të realizueshme për shkak të regjimit të ashpër të vizave.

“E kemi marrë si nismë edhe e kemi hapur edhe në mënyrë elektronike për të gjithë qytetarët, me qëllim që të dëgjohet zëri ynë brenda institucioneve dhe të ritheksohen disa argumente kryesore pse ne besojmë që duhet të bëhet liberalizimi”, tha Lushaku.

Ajo thotë se është optimiste se liberalizimi i vizave për Kosovën do të ndodhë këtë vit.

“Unë jam optimiste për shkak se po që shikohet plotësimi i kritereve dhe rrethanave të ndryshme, por edhe atyre politike dhe mendoj se do të duhej të ndodhte. Një pikëpyetje është se si do të implementohet vendimi dhe a është vërtetë koha deri sa të hyjë në fuqi vendimi, pra se a do të jetë para vitit të ri apo jo, kjo mund edhe të shtyhet përtej”, thekson ajo.

Kurse, gazetari dhe publicisti Adriatik Kelmendi, që është nënshkrues i kësaj letre dërguar komisionerëve, europarlamentarëve dhe ministrave të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, thotë se Kosova ka përmbushur kriteret dhe nuk duhet të zgjatet më tepër izolimi.

“Qëllimi i kësaj letre është që t’ua rikujtojmë atyre se cila ka qenë rruga që Kosova ka kaluar për të përmbushur kriteret e caktuara nga vetë Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave për kosovarët, si të vetmin që kanë mbetur jo vetëm në rajon por edhe në Evropë, pa gëzuar të drejtën e lëvizjes së lirë në Zonën Schengen”, tha Kelmendi.

Tutje, Kelmendi thotë se qytetarët e Kosovës, me kërkesën e tyre që t’u hiqen vizat, nuk po kërkojnë diçka që nuk u takon.

“Ne besojmë se kosovarët, Kosova meriton të ketë liberalizimin e vizave dhe kemi dashur t’ia japim edhe shkurtimisht arsyet se pse kjo duhet të ndodhë tash të gjithë atyre që mund të kenë ndikim për të vendosur për këtë çështje”, tha Kelmendi.

Përmes kësaj, letre shoqëria civile e Kosovës ka shprehur shqetësimin se çdo shtyrje eventuale e vendimit të Këshillit Evropian për liberalizimin e vizave do të dëmtojë rëndë ambicien e shoqërisë kosovare për integrim evropian dhe do të përjetohet gjerësisht si diskriminim ndaj qytetarëve të Kosovës edhe në raport me rajonin.

Po ashtu në këtë letër u bëhet thirrje europarlamentarëve dhe ministrave të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, që ta miratojnë vendimin sa më parë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Gjatë muajit qershor, pritet që BE-ja të japë vlerësimin e parë rreth kritereve të përmbushura. Ndër kriteret kyçe është ai i dëshmive se Kosova po e lufton krimin e organizuar dhe korrupsionin. Nëse organet e BE-së rikonfirmojnë vullnetin e tyre për liberalizim të vizave, më pas u mbetet edhe vendeve anëtare të BE-së që të japin vendimet e tyre.

Pritjen nga institucionet e Kosovës janë që këto procedura në BE të përmbyllen deri në fund të këtij viti apo në pranverën e vitit të ardhshëm.

XS
SM
MD
LG