Dhjetë organizata të shoqërisë civile në Kosovë u kanë bërë thirrje përmes një letre partive parlamentare ta vendosin interesin qytetar para atij partiak dhe të arrijnë marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, në mënyrë që t’i shmangin një palë zgjedhjesh të tjera parlamentare.
Kosova duhet ta ketë një president të ri më së largu deri më 4 mars, sipas Kushtetutës, pasi presidentes së tanishme, Vjosa Osmani, i mbaron mandati në prill.
Osmani nuk duket ta ketë mbështetjen e nevojshme në Kuvend për t’u rizgjedhur, ndërsa partitë kryesore politike nuk kanë arritur deri tani ndonjë marrëveshje për ndonjë kandidat të caktuar.
Në letrën e tyre, organizatat e shoqërisë civile u kërkuan partive të “angazhohen me seriozitet dhe përgjegjësi në dialog konstruktiv ndërpartiak; të vendosin interesin qytetar mbi kalkulimet partiake; të kontribuojnë në arritjen e një marrëveshjeje që siguron funksionimin e plotë institucional”.
Së voni, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri Albin Kurti, i takoi liderët opozitarë, Bedri Hamzën e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lumir Abdixhikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, për të folur për këtë çështje.
Por, ata nuk kanë arritur pajtueshmëri për ndonjë kandidat të caktuar, megjithëse afati po soset.
Për të garuar për president të vendit, një kandidat duhet t’i sigurojë të paktën 30 nënshkrime të deputetëve, ndërsa nevojiten dy të tretat e votave në Kuvendin me 120 vende për ta fituar atë pozitë.
Kuorumi arrihet me 80 deputetë. Nëse në dy rundet e para të votimit një kandidat nuk i siguron 80 vota, atëherë në votimin e tretë mjafton t’i ketë 61 sosh.
Megjithëse roli i presidentit të Kosovës është ceremonial, moszgjedhja e tij në kohë i kushton shtetit.
Dështimi për ta zgjedhur presidentin e vendit para 4 marsit do ta fuste vendin në krizë të re duke nxitur zgjedhje të parakohshme parlamentare për herë të dytë brenda muajsh.
Kosova u përball me krizë politike e institucionale tërë vitin 2025, që i kushtuan me mungesë fondesh ndërkombëtare e vonesa në kalimin e buxhetit për vitin e ri fiskal.
Shoqëria civile tha se, duke i parë zhvillimet rreth votimit për president, “ka rrezik real që vendi të përballet sërish me zgjedhje të parakohshme për shkak të mungesës së marrëveshjes politike”.
“Duke pasur parasysh se vendi ka kaluar tashmë një periudhë të zgjatur pa stabilitet të plotë institucional, çdo vonesë e mëtejshme në konstituimin e plotë të institucioneve cenon funksionimin demokratik të institucioneve, zhvillimin ekonomik dhe besimin qytetar në sistemin politik”, thuhet në letrën e saj.
Demokraci Plus, Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), Instituti i Kosovës për Drejtësi (KLI), Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Lëvizja FOL dhe Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) janë 10 organizatat nënshkruese.