Ndërlidhjet

Shpend Ahmetit i ngrihet aktakuzë për deklarim të pasaktë të pasurisë


Ish-kryetari e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Ish-kryetari e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetit, për mosraportim and apo raportim të rreme të pasurisë.

Sipas aktakuzës, Ahmeti - i cili shërbeu si kryetar i Prishtinës për dy mandatë, nga viti 2013 deri më 2021 - kishte paraqitur “me dashje” deklarata të pasakta të pasurisë, pasi thuhet se nuk kishte deklaruar deponimet në para të gatshmë nga 2018 deri në vitin 2022.

“Sipas aktakuzës, shuma e përgjithshme e mjeteve të padeklaruara arrin vlerën prej 172,600.00 euro”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale, që bëri të ditur se rasti tashmë është dërguar për shqyrtim Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Ahmetin me disa pyetje për këtë aktakuzë, por nuk ka marrë ende përgjigje.

Deklarimi i pasurisë nga personat publikë në Kosovë ka filluar qysh në vitin 2007.

Pas përfundimit të procesit të deklarimit të pasurisë, APK-ja, përmes shortit, zgjedh një numër të caktuar të zyrtarëve publikë, të cilëve ua verifikon pasurinë e deklaruar.

Ligji për deklarimin e pasurisë i obligon zyrtarët e lartë publikë që ta deklarojnë pasurinë e tyre 30 ditë nga marrja e postit të ri, dhe pastaj në baza vjetore.

Mosdeklarimi i pasurisë, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet, ndërsa deklarimi i rremë i pasurisë është i dënueshëm me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muajsh deri në pesë vjet.

Deri më tash, asnjë nga zyrtarët që nuk e ka deklaruar pasurinë, nuk është dënuar me burgim.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, u dënua në fund të vitit 2022 me gjobë prej 700 eurosh nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për shkak të mosdeklarimit të pasurisë për vitin 2020 brenda afatit ligjor.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG