Shtyhen të gjitha garat e UEFA-s
Të gjitha garat e UEFA-s, përfshirë ndeshjet e Ligës së Kampionëve dhe të Ligës Evropiane, të parapara për javën e ardhshme, janë shtyrë, për shkak të shpërthimit të koronavirusit.
Në kuadër të Ligës së Kampionëve janë shtyrë ndeshjet: Manchester City - Real Madrid, Juventus - Lyon, Barcelona - Napoli dhe Bayern Munich - Chelsea.
UEFA, që është Federata Evropiane e Futbollit, tha se vendimet e mëtejshme për caktimin e ndeshjeve të shtyra "do të komunikohen në kohë të duhur".
UEFA po ashtu ka ftuar përfaqësuesit e 55 shoqatave anëtare të saj në një takim të martën, në mënyrë që të diskutojnë përgjigjet e mëtejshme ndaj koronavirusit.
Planifikimi i kampionatit Euro 2020 do të diskutohet në atë mbledhje.
Edhe Portugalia mbyll shkollat
Qeveria e Portugalisë ka vendosur që nga data 16 mars të mbyllë të gjitha shkollat dhe universitetet në këtë vend, si masë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Masa që do të jetë në fuqi për gati një muaj, do të prekë rreth dy milionë nxënës dhe studentë.
Kryeministri portugez, Antonio Kosta, tha se qeveria e tij do t’iu ofrojë ndihmë financiare prindërve që punojnë dhe që për shkak të mbylljes së shkollave, detyrohen të qëndrojnë në shtëpi me fëmijët.
Në Portugali janë aktualisht 78 njerëz të prekur nga koronavirusi.
Shkollat i kanë mbyllur dhjetëra vende të Evropës, përfshirë Kosovën.
“Koronavirusi, le ta ndalojmë së bashku”
Kështu shkruan në disa ekrane që janë shfaqur në stacionin e trenave në Millano të Italisë.
Kina i ofron OKB-së bashkëpunim në kërkimin e vaksinës
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, tha se vendi i tij dëshiron të kryejë kërkime të përbashkëta me Kombet e Bashkuara për vaksinën kundër koronavirusit.
Në një bisedë telefonike me shefin e OKB-së, Antonio Guterres, Xi tha se Kina po i kthehet jetës normale falë përpjekjeve këmbëngulëse në parandalimin dhe kontrollimin e koronavirusit.
Kina është vendi i origjinës së koronavirusit dhe ka regjistruar mbi 3,000 viktima si pasojë e sëmundjes që e shkakton ai, COVID-19.
”Populli kinez do ta mundë përfundimisht epideminë COVID-19”, tha Xi.
Kina, më 13 mars, raportohet se ka shënuar vetëm tetë raste të reja me koronavirus.