Evropa - epiqendër e koronavirusit të ri
Evropa tani është epiqendra e pandemisë, thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, konfirmoi se Evropa tani është "epiqendra" e pandemisë Covid-19.
Deri më tani Kina është konsideruar si epiqendër e virusit, pasi aty ishin paraqitur edhe rastet e para.
Mirëpo, përhapja e tij e shpejt në vendet evropiane ka bërë që OBSH-ja të ndryshojë destinacionin e epiqendrës së virusit.
Kina ka 80,945 raste me koronavirus, pas saj vjen Italia me 15,113 raste dhe Irani me 11,364.
Çfarë duhet të dini për koronavirusin e ri?
SHBA-ja shton masat për të shpejtuar testimin ndaj koronaviusit
Në përpjekje për të shmangur kritikat për përgjigjen e saj të ngadaltë ndaj mungesës së testimit të koronavirusit në SHBA, Shtëpia e Bardhë ka njoftuar disa masa për të shpejtuar testimin.
Departamenti i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore do të ndajë 1.3 milion dollarë për dy laboratorë për krijimin e testeve të reja për Covid-19 që mund të zbulojnë në më pak se një orë, nëse një person është i infektuar .
Testet e reja mund të jenë gati brenda gjashtë deri në 12 javë, thonë zyrtarët.
Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) miratoi gjithashtu një pajisje testimi të prodhuar nga Zvicra - testi i parë i disponueshëm komercial në SHBA.
FDA gjithashtu ka krijuar një linjë ndihme 24-orëshe për laboratorët që kanë vështirësi në marrjen e testeve ose hasin në ndonjë pengesë tjetër në proces.
SHBA-ja ende mbetet shumë larg vendeve të tjera në testime, duke bërë që disa zyrtarë shëndetësorë amerikanë të pretendojnë se përhapja e infeksionit mund të jetë më e lartë se sa konfirmohet aktualisht.
Në xhamitë e Kosovës është folur për koronavirusin
Në të gjitha xhamitë e Kosovës, të premten, para faljes së xhumasë, është folur për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Bashkësia Islame e Kosovës ka thënë se ky institucion do të zhvillojë një mbledhje të jashtëzakonshme ditën e shtunë, ku do të merren vendime sa i takon zhvillimit apo anulimit të aktiviteteve nëpër xhamitë e Kosovës.