Rezultatet e testimit të 15 personave pritet të bëhen publike të premten pasdite
Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur deri më tani, në Kosovë, nuk ka asnjë rast të konfirmuar të koronavirusit Covid-19.
“Të gjitha rastet e dyshimta gjatë ditës së sotme, janë duke u testuar në Laboratorin e Mikrobiologjisë Humane në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, dhe janë duke u proceduar sikurse edhe rastet e ditëve të kaluara”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Më herët, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka njoftua se janë në pritje të rezultateve të 15 personave si të dyshuar për infeksion me koronavirusin e ri.
Rezultatet, sipas ministrit Vitia do të bëhen të ditura të premten pasdite.
OBSH-ja me fushatë vetëdijësimi
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka filluar një fushatë sensibilizimi për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri.
“Ka gjëra të thjeshta që secili duhet t'i bëjmë për të mbrojtur veten nga COVID19, përfshirë larjen e duarve me sapun ose përmes pastrimit me bazë alkooli”, shkruan OBSH-ja në rrjetin social Twitter.
Organizata u bën thirrje njerëzve anëmbanë botës të postojnë në rrjete sociale videot e tyre duke larë duart.
Spanja në gjendje të jashtëzakonshme
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, shpalli gjendje të jashtëzakonshme, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Gjendja e jashtëzakonshme do të hyjë në fuqi nga e shtuna.
Ajo pason njoftimet e së premtes se numri i njerëzve të vdekur nga koronavirusi në Spanjë është rritur për 40 për qind brenda ditës, përkatësisht në 120.
Numri i të infektuarve në Spanjë aktualisht qëndron në 4,209.
Gjendja e jashtëzakonshme përfshin:
- kufizimin e lëvizjes së njerëzve dhe automjeteve
- urdhërimin e evakuimeve
- ndalimin e qasjes në zona apo vende të caktuara
- ndërhyrjen në fushat e industrisë dhe bujqësisë
Qeveria mund ta zbatojë gjendjen e jashtëzakonshme për 15 ditë. Për zgjatjen e saj, duhet miratimi nga Parlamenti i Spanjës.
Raste të reja me koronavirus në Maqedoninë e Veriut
Katër raste të reja me koronavirus janë konfirmuar në Maqedoninë e Veriut.
Për rrjedhojë, numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 13.
Prej tyre, njëri është shëruar plotësisht.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, tha se për të hënën ka thirrur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, për të diskutuar rreth masave që janë në dispozicion, në rast të përkeqësimit të situatës.
Ai tha se mbetet mundësi e hapur edhe shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme.
Në anën tjetër, Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut u bëri thirrje qytetarëve që të mbeten të izoluar në shtëpi dhe t'i respektojnë masat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Për më shumë, lexoni këtu.