Mali i Zi mbyll shkollat, edhe pse nuk ka raste me koronavirus
Për shkak të situatës globale me koronavirusin, Mali i Zi, nga data 16 mars, do t’i ndërpresë mësimet në shkolla dhe kopshte.
Kjo u bë e ditur në një konferencë për media të Këshillit Kombëtar Koordinues, i cili tha se ka pranuar rekomandimin e Institutit të Shëndetit Publik për ndërprerje të mësimit, si masë parandaluese.
Zëvendëskryeministri malazez, Millutin Simoviq, tha se është çështje koha kur koronavirusi do të përhapet edhe në Mal të Zi,
“Mali i Zi deri më tash nuk ka zbuluar asnjë rast dhe po i përcjell të gjithë të sëmurët e dyshimtë. Secila ditë është fitore për shtetin”, tha Simoviq në një konferencë për media.
Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Kosova dhe Mali i Zi nuk kanë ende raste të regjistruara me koronavirus.
E gjithë Qeveria e Rumanisë në karantinë
Kryeministri i përkohshëm i Rumanisë, Ludovic Orban, dhe i gjithë kabineti i tij 17-anëtarësh janë dërguar në karantinë, pasi senatori i Partisë së tyre Kombëtare Liberale, Vergil Chitac, është infektuar me koronavirus.
Të gjithë senatorëve liberalë dhe gazetarëve që kanë ndjekur konferencat e qeverisë, u është thënë të testohen.
Rumania ka qenë në mesin e një krize politike dhe kjo situatë pritet ta thellojë atë.
Qeveria e Orbanit ka humbur votën e besimit pesë javë më parë.
Romania ka 70 persona të infektuar me koronavirus.
Rreth 1.2 milion rumunët që punojnë në Itali – vendin e goditur keq nga koronavirusi – po përpiqen të kthehen në shtëpitë e tyre, pavarësisht apeleve të qeverisë për të mos e bërë një gjë të tillë.
Shkollat në Serbi mbeten të hapura
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se institucionet arsimore në Serbi mbeten të hapura, përkundër përhapjes së koronavirusit.
“E kuptojmë panikun dhe brengën e prindërve. Për neve kjo është një temë e ndjeshme dhe e rëndësishme. Unë kam propozuar që të ndërpritet mësimi, porse qëndrimi i profesionistëve është unik: nuk ka asnjë arsyetim profesional për mbylljen e shkollave, kopshteve dhe fakulteteve tash për tash”, tha Bërnabiq në një konferencë për media në Qeverinë e Serbisë.
Ajo tha se qeveria, më 13 mars, do të marrë vendim për ndalimin e publikut në manifestimet sportive.
Serbia ka aktualisht 31 të infektuar me koronavirus.
Si masë parandaluese, shkollat janë mbyllur në disa vende të Evropës, përfshirë: Italinë, Danimarkën, Republikën Çeke, Sllovakinë, Francën e Portugalinë.
Franca ndalon tubimet me mbi 100 njerëz
Kryeministri i Francës, Edouard Philippe, tha se qeveria e tij ka marrë vendim për ndalimin e tubimeve publike me më shumë se 100 vetë, si masë për pengimin e përhapjes së koronavirusit.
Franca ka mbi 2,800 raste të konfirmuara me koronavirus dhe 61 viktima.
Masa e fundit vjen një ditë pasi një numër i gazetarëve francezë, që mbulojnë shpërthimin e koronavirusit në Itali, kanë nënshkruar një letër, duke kërkuar nga zyrtarët që ta marrin më seriozisht pandeminë.
Italia është vendi i goditur më së keqi në Evropë nga koronavirusi.