Kryeministri kanadez tregon detaje për jetën në izolim
Kryeministri Kanadez Justin Trudeau ka folur për jetën në izolim, pasi gruaja e tij doli të jetë e infektuar me koronavirusin e ri.
"Unë jam në izolim, si dhe fëmijët e mi, gruaja ime është në karantinë", u tha ai gazetarëve të premten, jashtë rezidencës së tij zyrtare në Otava.
"Fëmijët janë duke bërë Lego, gruaja ime bisedon në telefon me miqtë dhe familjen. Njerëzit duhet të marrin vendime të përgjegjshme dhe të kontrollohen nga profesionistë mjekësorë”, tha Tudeau.
"Ne - si shumë kanadezë të tjerë tani - po ndjekim këshillat e profesionistëve", shtoi ai.
Gruaja e e kryeministrit Trudeau, Sophie Gregoire, më parë doli të jetë pozitive në testin për koronavirusin e ri pasi u kthye nga një udhëtim në Londër.
Fillon gjurmimi i kontakteve të dy personave infektuar në Kosovë
Pas konfirmimit të dy rasteve të para me koronavirus në Kosovë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe institucionet e tjera, kanë filluar menjëherë me gjurmimin e të gjitha kontakteve të dy pacientëve dhe janë marrë të gjitha masat e izolimit dhe vetkarantimit të personave më të cilët kanë qenë në kontakt të konfirmuarit pozitiv në Covid-19.
Më herët, ministri i Shëndetësisë, Arbën Vitia përmes një konference të jashtëzakonshme për media, tha se pacientët e konfirmuar janë një shtetase italiane e moshës 20 vjeçare dhe një burrë 77 vjeçar, shtetas i Kosovës.
Dy raste me koronavirus në Kosovë
Në Kosovë janë konfirmuar dy rastet e para me koronavirusit të ri. Këtë e bëri të ditur ministri i Shëndetësisë, Arbën Vitia përmes një konference të jashtëzakonshme për media, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Albin Kurti.
Pacientët janë të shtruar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Ministri Vitia tha se pacientët e konfirmuar janë një shtetase italiane e moshës 20 vjeçare dhe një burrë 77 vjeçar, shtetas i Kosovës.
Ai tha se gjendja e të infektuarve është stabile.
“Në këtë moment që po flasim, është mbledhur edhe Komiteti për Koordinimin dhe Vlerësimin e Situatës me Koronavirus Covid-19 për të diskutuar dhe rekomanduar masat përkatëse konform situatës së re të parapara edhe me Planin e Veprimit”, tha ministri Vitia.
Të gjitha vendet e rajonit, përveç Malit të Zi, tashmë kanë raportuar raste me sëmundjen e koronavirusit të ri.
Kryetari i Majamit, infektohet me koronavirusin e ri
Kryetari i bashkisë së Majamit në SHBA është infektuar me koronavirusin e ri, katër ditë pasi ka pasur kontakt me një zyrtar të qeverisë braziliane, i cili ka qenë i infektuar.
Kryetari, Francis Suarez, kërkoi që ata që kishin rënë në kontakt me të të ndërmarrin masa parandaluese.
Kryetari i bashkisë është një nga shumë politikanë amerikanë, përfshirë presidentin, Donald Trump, dhe republikanin Rick Scott, të cilët ishin në kontakt me presidentin brazilian, Jair Bolsonaro dhe stafin e tij, gjatë një udhëtimi në Florida, javën e kaluar.
Në takim ka qenë edhe zytari brazilian i infektuar me koronavirusin e ri.
Presidenti i Brazilit, është testuar por ka dalur negativ për virusin.
Presidenti amerikan, Donald Trump deri tani ka rezistuar për të bërë një testim, duke thënë se nuk ka simptoma dhe ndjehet mirë.