Në SHBA shpallet emergjenca kombëtare
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump shpalli të premten një "emergjencë kombëtare" për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri.
Presidenti amerikan tha se në këtë mënyrë po i hap rrugën sigurimit të rreth 50 miliardë dollarë ndihmë federale për të luftuar sëmundjen.
Trump gjithashtu u bëri thirrje shteteve që menjëherë të krijojnë qendra të urgjencës.
Presioni ka qenë në rritje që Trump të deklarojë një emergjencë të sëmundjes infektive sipas ligjit të vitit 1988 që do t'i lejonte Agjencisë Federale të Menaxhimit të Emergjencave (FEMA) të sigurojë fonde për katastrofën për shtetet dhe qeveritë lokale dhe të vendosë ekipe mbështetëse.
Izolohet fshati Stubëll
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka bërë të ditur për Radio Evropa e Lirë se pas konfirmimit se personi i infektuar me koronavirusin e ri është nga fshati Stubëll, komuna e Vitisë kanë marrë masa që i gjithë fshati të futet në izolim.
“Personi dyshohet të ketë pasur kontakte me persona të shumtë dhe për këtë arsye kemi bërë izolimin e tërë fshatit. Po ashtu ne karantinë janë edhe stafi mjekësor në qendrën kryesore të mjekësisë familjare në Viti”, thotë Haliti.
Ai iu bëri thirrje autoriteteve qendrore që t’i pajisin ata me masa mbrojtëse.
Më herët, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia përmes një konference të jashtëzakonshme për media, tha se pacientët e konfirmuar me COVID 19 janë një shtetase italiane e moshës 20 vjeçare dhe një burrë 77 vjeçar, shtetas i Kosovës.
Numri i vdekjeve në Itali rritet për 250 brenda një dite
Numri i vdekjeve nga koronavirusi në Itali është rritur për 250 brenda një dite.
Numri i përgjithshëm i vdekjeve tani është 1.266, njoftoi Agjencia e Mbrojtjes Civile .
Zyrtarët thanë se numri i përgjithshëm i rasteve të infektuara është rritur nga 15,113 në 17,660.
Merkel: Gjendemi para një situate të pazakontë për shkak të koronavirusit
Kriza e koronavirusit po nxitë një situatë më të jashtëzakonshme sesa kriza bankare, tha të enjten Kancelarja Angela Merkel, duke shtuar se vëmendja e qeverisë së saj tani nuk ishte se si funksionon buxheti i saj.
"Ne jemi në një situatë që është e pazakontë në çdo aspekt dhe unë do të thosha më e pazakontë se në kohën e krizës bankare, sepse kemi të bëjmë me një problem shëndetësor, një sfidë shëndetësore për të cilën shkencëtarët dhe mjekësia ende nuk kanë një përgjigje”, tha Merkel.
"Pra, është detyra jonë para së gjithash të shpëtojmë jetën e njerëzve, sa më mirë që të mundemi, dhe së dyti të vazhdojmë aktivitetin ekonomik", tha ajo.
Më parë Merkel kishte deklaruar se për shkak të mungesës së vaksinës, deri në 70 për qind e popullatës së Gjermanisë mund të infektohen me koronavirusin e ri.
Sipas qendrës, John Hopkins, në Gjermani deri të premten pasdite janë 3,156 raste të konfimuara me koronavirus.