Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar. 
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
13:54 14.3.2020

Në Shqipëri, 38 raste me koronavirus

Në Shqipëri deri më tash janë regjistruar 38 raste me koronavirus.

Autoritetet atje, në kuadër të masave parandaluese kundër koronavirusit, kanë marrë vendim të premten që të mbyllin përkohësisht kufirin me Kosovën.

Qendra Kombëtare e Menaxhimit të Kufijve, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, ka njoftuar se hyrja në Shqipëri është ndaluar  nga data 13 mars, 2020, në ora 06.00.

Kjo masë është e paraparë të zgjasë deri me datën 15 mars, në ora 24.00.

Rastet e para me koronavirus, Kosova i ka regjistruar të premten.

Aktualisht, nga vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Mali i Zi nuk ka të infektuar.

13:40 14.3.2020

Brenda një dite, mbi 1,500 raste të reja me koronavirus në Spanjë

Rastet me koronavirus në Spanjë janë rritur për më shumë se 1,500, thanë të shtunën zyrtarët shëndetësorë.

Sipas tyre, nga mbrëmja e së premtes, numri i rasteve të infektuara është rritur nga 4,231 në 5,753.

Deri të shtunën, autoritetet kanë raportuar për 136 të vdekur.

Spanja është vendi i goditur më së keqi në Evropë, pas Italisë, e cila ka mbi 15,000 raste të konfirmuara.

Të premten, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH)  ka thënë se Evropa është tani “epiqendër” e pandemisë.

Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, u ka bërë thirrje vendeve që të aplikojnë masa agresive, mobilizim komunitetesh dhe distanca sociale për të shpëtuar jetë.

12:59 14.3.2020

Edhe një pacient në Kroaci shërohet nga koronavirusi

Pacienti i dytë i infektuar me koronavirus në Kroaci, është shëruar.

Drejtori i Institutit kroat të Shëndetit Publik, Krunosllav Çapak, tha se ai do të lirohet nga spitali gjatë ditës.

Kroacia njoftoi të enjten për shërimin e pacientit të parë nga koronavirusi, i cili ishte diagnostikuar më 26 shkurt.

Numri total i të infektuarve në këtë vend aktualisht është 37.

Nga e premtja pasdite deri të shtunën në mëngjes janë konfirmuar pesë raste të reja, tha Çapak.

12:30 14.3.2020

Hyn në fuqi ndalesa e udhëtimit nga Evropa në SHBA

Masa e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për ndalimin e udhëtimeve drejt SHBA-së nga 26 vende të Evropës, ka hyrë në fuqi.

Ndalesa është paraparë si masë për trajtimin e krizës së koronavirusit.

Ndalesa prek vendet e zonës pa kufij në Evropë, të njohur si Schengen.

Njerëzit që udhëtojnë nga Mbretëria e Bashkuar dhe Republika e Irlandës bëjnë përjashtim, ashtu si edhe të gjithë shtetasit amerikanë.

Në Shtetet e Bashkuara janë konfirmuar gati 2,000 raste me koronavirus, ndërsa 43 pacientë kanë vdekur.

Trump ka shpallur emergjencë kombëtare të shtunën.

Aeroporti Paris-Charles-de-Gaulle i Parisit
Aeroporti Paris-Charles-de-Gaulle i Parisit

 

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG