Franca mbyll hapësirat publike jo të domosdoshme
Kryeministri francez, Edouard Philippe ka urdhëruar mbylljen e hapësirave jo të dosmosdoshme publike nga mesnata, me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit.
Kjo masë do të zbatohet për restorantet, kafiteritë, kinematë, klubet e natës dhe disa biznese tjera.
Philippe po ashtu i ka kërkuar popullatës franceze që të kufizojë udhëtimin nga qyteti në qytet.
Franca ka raportuar një rritje të dukshme të personave të infektuar me koronavirusin e ri të shtunën, nga 3,661 në 4,499.
Në këtë ditë, Franca ka raportuar edhe për 12 vdekje shtesë, duke e dërguar numrin e viktimave në 79.
Siria insiston se nuk ka të prekur me koronavirus
Siria ka mbyllur shkollat dhe ka anuluar shumicën e ngjarjeve publike me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit, ndonëse zyrtarët kanë thënë se shteti i shkatërruar nga lufta ende nuk është prekur nga kjo sëmundje.
Megjithatë, Vëzhguesi Sirian për të Drejta të Njeriut, me bazë në Britani, ka thënë se mjekët sirianë kanë vërejtur persona të infektuar në të paktën tri provinca, mirëpo u është dhënë urdhër të heshtin.
Ministri i Edukimit, Imad al-Azab, ka mohuar këtë pretendim.
Ai ka thënë se “është e pamundshme” qe qeveria të fshehë raste.
Siria është një nga tri shtetet e Lindjes së Mesme që nuk ka raportuar për ndonjë person të infektuar me këtë virus, bashkë me Libinë dhe Jemenin.
Të trija këto vende përballen me sfida të mëdha për luftim të virusit, pasi sistemet shëndetësore u janë shkatërruar si pasojë e luftërave.
Policia e Kosovës kërkon mbylljen e restoranteve në veri
Policia e Kosovës, në koordinim me punonjësit e inspektimit komunal, vizitoi të shtunën kafiteritë dhe restorantet në Mitrovicën e Veriut, Zveçan dhe gjithë pjesën veriore të Kosovës dhe kërkoi nga pronarët që të ndërpresin punën, në përputhje me urdhrin e Qeverisë së Kosovës për mbrojtje nga koronavirusi.
Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti, e konfirmoi këtë për Radion Evropa e Lirë, duke thënë se paralajmërimi u është shpërndarë të gjithë pronarëve të objekteve ku mund të mblidhen njerëz.
“Pronarët e kuptuan këtë plotësisht dhe nuk kishte asnjë keqkuptim”, tha Hoti.
Ai shtoi se vetëdijesimi i vetë qytetarëve për t’i shmangur kontaktet me shumë njerëz është po ashtu i rëndësishëm.
Qeveria e Kosovës miratoi një sërë masash preventive të premten, pas regjistrimit të rasteve të para me koronavirus në Kosovë.
Për më shumë rreth tyre, lexoni këtu: Kosova me masa shtesë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit
Edhe dy persona konfirmohen me koronavirus në Kosovë
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se edhe dy persona të tjerë janë konfirmuar me koronvirusin e ri.
Sipas ministrisë, një 42-vjeçar i infektuar ka qenë në kontakt me personin e parë, për të cilin është raportuar një ditë më parë, derisa e infektuara tjetër është një 37-vjeçare, shtetase e Kosovës, që ka arritur nga Italia në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës më 1 mars.
“Vendqëndrimi i saj në Kosovë është fshati Bubavec, Komuna e Malishevës”, është thënë mes tjerash në njoftim.
Të premten, Kosova konfirmoi dy rastet e para me koronavirus, një shtetas i Kosovës 77 vjeç dhe një 20-vjeçare nga Italia. Ndërkaq, të shtunën gjatë ditës, autoritetet njoftuan se edhe një 39-vjeçar ishte infektuar pas kontaktit me 77-vjeçarin nga Stublla e Vitisë.