Cilat janë zhvillimet e fundit lidhur me koronavirusin e ri?
- Kërkesat e reja të kontrollit për amerikanët që kthehen nga Evropa, shkaktojnë radhë të gjata, veçanërisht në aeroportin e Çikagos.
- Australia urdhëron karantinë 14 ditore për të gjithë ata që hyjnë në vend, duke filluar nga mesnata e së dieles.
- Të shtunën, qeveria franceze urdhëroi mbylljen e bareve, restoranteve dhe shumë dyqaneve.
- Vatikani thotë se festimet e tradicionale të festës së Pashkëve këtë vit do të mbahen pa besimtarë.
- Gjyqi i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu shtyhet deri në 24 maj për shkak të krizës.
Australia me masa të reja
Kryeministri i Australisë, Scott Morrison ka urdhëruar që të gjithë personat që hyjnë në shtet të vetizolohen për 14 ditë, me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit.
“Kjo është shumë e rëndësishme”, tha Morrison, teksa shtoi se kjo masë do të hyjë në fuqi në mesnatën e së dielës.
“E dimë që virusi nuk mund të ndalet plotësisht – askush nuk mund ta bëjë një gjë të tillë – por ne mund të ngadalësojmë përhapjen e tij”, tha kryeministri australian, teksa bëri thirrje që qytetarët të mbajnë distancë nga njëri-tjetri kur takohen dhe të mos shtrëngojnë duart me askënd.
Masë të njëjtë kishte marrë edhe Zelanda e Re të shtunën.
Anijet me udhëtarë do të ndalohen që të zbarkojnë në Australi për 30 ditë, por shkollat do të vazhdojnë të jenë të hapura.
Australia deri më tani ka raportuar për 250 raste me koronavirusin e ri dhe tri raste me fatalitet.
Malisheva në karantinë
Pas konfirmimit se një qytetare e Komunës së Malishevës, është e infektuar me koronavirusin e ri, Qeveria e Kosovës në një mbledhje të mbajtur në orët e vona të së shtunës mori vendim që Komuna e Malishevës të izolohet.
“Ndalohen hyrje-daljet e qytetarëve në Komunën e Malishevës. Obligohet Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet tjera relevante të kryejnë të gjitha procedurat për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në vendimin e qeverisë.
Të premten, pas konfirmimit të rasteve të para me koronavirus, Qeveria e Kosovës, kishte ndaluar hyrje-daljet e qytetarëve në Komunën e Vitisë dhe Klinës, ku u regjistruan rastet e para me koronavirus.
Deri më tani, në Kosovë janë pesë raste me koronavirusin e ri.
Trump nuk ka koronavirus
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nuk është i infektuar më koronaviusin e ri, ka thënë mjeku i Shtëpisë së Bardhë.
"Këtë mbrëmje, unë mora konfirmim se testi është negativ, tha Sean Conley, mjeku i presidentit, në një deklaratë më 14 mars.
"Një javë pas darkës me delegacionin brazilian, presidenti nuk ka simptoma", tha ai, duke iu referuar takimit të Trumpit në Florida.
Në një konferencë me media më herët, Trump tha se ai ishte testuar pasi kishte pasur kontakt me disa anëtarë të një delegacioni presidencial brazilian, të cilët që atëherë kanë testuar pozitivë për virusin.
Shtëpia e Bardhë më parë kishte thënë se nuk kishte asnjë arsye që ai të bënte testin, megjithë kontaktet e tij me të paktën tre persona që ishin të infektuar.