Britania do të izolojë qytetarët mbi 70 vjeç
Izolimi i banorëve të Britanisë së Madhe që janë mbi 70 vjeç dhe vendosja e tyre në strehimore të sigurta, do të ndodhë gjatë javëve të ardhshme, tha Sekretari britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock.
Ai tha për Sky News se masa është për mbrojtjen e kësaj kategorie të shoqërisë nga koronavirusi.
Qeveria britanike po përballet me presion të madh që të ndërmarrë masa për të luftuar koronavirusin, pasi të shtunën, u konfirmua se numri i të vdekurve ka arritu në 21.
Të gjithë personat që kanë vdekur nga virusi kanë qenë mbi 60 vjeç dhe që kanë pasur sëmundje të tjera.
Masa për izolim do të nënkuptonte që personat do të kërkohen të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe nuk do të lejonin asnjë vizitor, ndërkaq ushqimet dhe gjërat e tjera elementare do t’u dërgohen në shtëpitë e tyre.
Të dhënat e fundit në nivel botëror nga Universiteti John Hopkins.
| Gjithsej të infektuar | Numri i vdekjeve |
Numri i të shëruarve |
|
156,400 | 5,833 | 73,968 |
Evropa vazhdon të jetë epiqendra e pandemisë
Vende në të gjithë botën po vazhdojnë të prezantojnë masa të reja në përpjekje për të parandaluar pandeminë COVID-19, pasi numri i infeksioneve arriti në 156,000, me më shumë se 5.800 vdekje.
Në të gjithë Evropën, e cila u identifikua kohët e fundit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, si epiqendra e pandemisë, shumë shtete kanë kufizuar lëvizjet e përditshme dhe udhëtimet ndërkombëtare, në përpjekje për të penguar përhapjen e koronavirusit vdekjeprurës.
Megjithë masat e ngjashme, Franca po përgatitet të vazhdojë me mbajtjen zgjedhjeve lokale më 15 mars, duke argumentuar se votimi është thelbësor për proceset demokratike.
Në Kinë, ku është paraqitur për herë të parë virusi, në dhjetor të vitit të kaluar, autoritetet vazhduan të regjistrojnë një numër më të ulët të infeksioneve, por po vendosin kontrolle të reja për udhëtarët ndërkombëtarë pasi 16 raste të reja u raportuan më 14 mars.
Në Azinë Qendrore, Uzbekistani regjistroi rastin e parë, ndërsa dy raste të reja u raportuan në Kazakistan, duke rritur numrin e rasteve atje në tetë.
Qendra Kërkimore e Universitetit Johns Hopkins, e cila ndërthur shifrat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe raportet e mediave lokale, bënë të ditur se numri i infeksioneve COVID-19 në të gjithë botën, në mëngjesin e 15 marsit është 156.500, me 5,833 vdekje.
Prishtinë: Mesha e së dielës mbahet pa praninë e besimtarëve
Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji ka njoftuar se Mesha e së dielës do të organizohet pa besimtarë, për shkak të përhapjes së koronavirusit.
“Lus besimtarët që të na mirëkuptojnë dhe gjatë kohës së meshës të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, dhe nga aty të na bashkohen në lujte për vete, për familjet dhe për të gjithë njerëzit në Kosovë”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.
Qeveria e Kosovës ka marrë një sërë masash për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri, përfshirë edhe anulimin e një sërë aktivitetesh pa praninë e publikut.
Po ashtu, Bashkësia Islame e Kosovës ka njoftuar se nuk do të mbajë falje të organizuara ditore, me qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19.
Deri më tani në Kosovë janë infektuar pesë persona me koronavirusin e ri.