Qeveria e Kosovës shpall gjendje emergjente të shëndetit publik
Qeveria e Kosovës, me kërkesë të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, ka shpallur emergjencë për shëndetin publik.
Ky njoftim vjen pas konfirmimit edhe të katër rasteve të reja me koronavirus në Kosovë, duke çuar në nëntë numrin e personave të infektuar.
“Sipas vendimit, obligohen institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës të veprojnë konform Planit të reagimit kombëtar dhe aktivizimit të Funksionit Mbështetës Emergjent 8 (FME8 - shëndeti publik dhe shërbimet mjekësore). Ministria e Shëndetësisë është përgjegjëse për menaxhimin e situatës së shpallur të emergjencës për shëndetin publik”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Në Planin e reagimit kombëtar të Qeverisë së Kosovës, Funksioni Mbështetës Emergjent 8 apo FME 8 ka të bëjë me shëndetin publik dhe shërbimet mjekësore, si dhe me veprimet për “zbulimin, parandalimin apo zvogëlimin e efekteve dëmtuese në shëndetin dhe sigurinë publike”.
“Veprimet e tilla mund të përfshijnë analizimin e mjedisit, strukturën e pendave, evakuimet, strehimin emergjent, monitorimin e cilësisë së ajrit, dekontaminimin, përcjelljen e shpërthimit të sëmundjeve ngjitëse, parashikimet emergjente etj”, thuhet në Planin e reagimit kombëtar.
FME 8 mundëson që institucionet përkatëse, në rastet e shpalljes së emergjencës të shëndetit publik, të mund të plotësojnë nevojat për preparate farmaceutike apo për personel mjekësor, si dhe të sigurojnë vaksina për parandalimin e sëmundjeve të caktuara ngjitëse.
Gjendje e jashtëzakonshme në Serbi
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se ka vendosur që të shpallë gjendje të jashtëzakonshme në Serbi, si masë për luftimin e përhapjes së koronavirusit.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë, tha Vuçiq.
Në Serbi, aktualisht janë 48 persona të infektuar me koronavirus.
BE-ja i bashkon burimet shëndetësore të secilit vend
Bashkimi Evropian do t’i bashkojë burimet e 27 vendeve anëtare për të luftuar koronavirusin dhe për të mbrojtur shërbimet e shëndetit kombëtar në gjithë kontinentin.
Presidentja e Komisionit Evropian, Urusla von der Leyen, tha se qëllim është të rritet prodhimi i pajisjeve mbrojtëse, si maska dhe kostume, dhe të parandalohet eksportimi jashtë BE-së, pa autorizimin e qeverive të bllokut.
Nën këto masa, pajisjet do të shpërndahen brenda vendeve të BE-së dhe jo secili vend t’i prodhojë ato për vete.
Edhe katër raste me koronavirus në Kosovë
Numri i të infektuarve me koronavirus në Kosovë ka arritur në nëntë, pasi të dielën u regjistruan edhe katër raste të reja.
Këtë e konfirmoi ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia.
Në një postim në Facebook, ai tha se tri nga këto raste lidhen me një paciente të diagnostikuar me koronavirus më 14 mars.
“Bazuar në situatën e krijuar dhe me qëllim të ruajtjes së shëndetit të popullatës, porsa kërkova nga kryeministri Albin Kurti, që t'i propozojë Qeverisë shpalljen e emergjencës për shëndetin publik”, tha Vitia.
Kosova ka regjistruar rastet e para me koronavirus të premten.