Situata në Ballkanin Perëndimor
Përveç Kosovës që deri më tash ka regjistruar 13 raste të njerëzve të infektuar me koronavirus, edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor po përballen me rritje të përditshme të numrit të të infektuarve.
Aktualisht, vetëm Mali i Zi nuk ka asnjë rast të regjistruar.
Shqipëria ka 42 raste dhe një viktimë nga koronavirusi. Autoritetet atje kanë kufizuar dukshëm lëvizjen e qytetarëve, në përpjekje për të frenuar përhapjen e sëmundjes.
Në Maqedoninë e Veriut janë 18 raste të konfirmuara, ndërsa në Bosnje e Hercegovinë 24.
Në Serbi, ndërkaq, 55 pacientë janë duke luftuar me sëmundjen që e shkakton koronavirusi, COVID-19.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme.
“Do të mbyllemi për të shpëtuar jetët tona, për të shpëtuar prindërit tanë dhe pleqtë tanë”, ka thënë Vuçiq në një fjalim televiziv të dielën.
Ai ka thënë se nga 16 marsi, ushtria do t’i ruajë spitalet shtetërore, ndërsa policia do t’i monitorojë ata që janë të karantinuar ose në izolim, për 14 ose 28 ditë.
Ata që shkelin karantinën mund të përballen me burgim deri në tre vjet, ka paralajmëruar Vuçiq.
Fakte kyçe rreth koronavirusit
Evropa mbetet epiqendër e koronavirusit
Vendet në të gjithë botën, nga sot, nisën me zbatimin e masave të reja, në përpjekje për të penguar përhapjen e koronavirusit.
Numri total i të prekurve me sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19, është afro 170,000, ndërsa mbi 6,500 pacientë kanë humbur jetën.
Përhapja e shpejtë e koronavirusit kërcënon ta çojë ekonominë globale në recesion, pasi bizneset janë mbyllur përkohësisht, duke i detyruar bankat qendrore të ndërmarrin masa ekstreme për të qetësuar tregjet e aksioneve.
Në të gjithë Evropën, kontinentin që së voni është identifikuar si epiqendër e pandemisë së koronavirusit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), shumë shtete kanë kufizuar lëvizjen e përditshme të qytetarëve dhe udhëtimet ndërkombëtare, në përpjekje për të penguar përhapjen e koronavirusit.
- Për hollësitë, lexoni këtu.
Edhe katër të infektuar me koronavirus në Kosovë
Në Kosovë janë regjistruar edhe katër raste të reja me koronavirus, duke e çuar në 13 numrin e personave të infektuar.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitita, tha se katër rastet e reja janë nga fshati Stubëll i Vitisë, familjarë të një pacienti të diagnostikuar si pozitiv me koronavirus, më 13 mars.
“E gjithë familja ka qenë në vetizolim dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë testimin edhe të familjarëve të tjerë”, shkroi në Facebook ministri Vitia.
Në Kosovë, rastet e para me koronavirus u shënuan më 13 mars.