Nju Jorku mbyll shkollat, restorantet, baret
Nju Jorku, nga e hëna, mbyll shkollat, restorantet dhe baret, në përpjekje për të penguar përhapjen e koronavirusit.
“Qyteti ynë po përballet me një kërcënim të paparë dhe ne duhet të përgjigjemi sikur të jemi në gjendje lufte”, tha kryetari Bill de Blasio.
“Do të fillojmë mësimin digjital nga e hëna dhe do të bëjmë gjithçka në fuqinë tonë për t'i ndihmuar fëmijët”, tha ai.
Shtetet e Bashkuara kanë konfirmuar 69 vdekje të lidhura me koronavirusin dhe 3,774 infeksione.
Nju Jorku, i cili ka mbi tetë milionë banorë, ka regjistruar pesë viktima.
Secila prej tyre ka pasur probleme paraprake shëndetësore, kanë thënë zyrtarët.
E gjithë Çekia futet në karantinë
Qeveria e Republikës Çeke ka marrë vendim që ta fusë gjithë vendin në karantinë, si masë për pengimin e përhapjes së koronavirusit.
Sipas vendimit, karantina nis nga data 16 mars dhe zgjat deri më 24 mars, në orën 6:00 të mëngjesit.
Ndalimi i lëvizjes së lirë nuk vlen për udhëtimet në punë, udhëtimet e nevojshme familjare, për nevojat themelore të jetesës ose shkuarjet në objektet mjekësore.
Sipas të dhënave të fundit, Çekia ka 253 njerëz të infektuar me koronavirus.
Të dielën janë regjistruar 64 raste të reja, që është numri më i lartë i tyre brenda një dite.
“Trend stabilizues” në Korenë e Jugut
Ministrja e Jashtme e Koresë së Jugut, Kang Kyung-wha, tha se testimet e shumta kanë qenë çelësi i shkallës së ulët të viktimave nga koronavirusi në Korenë e Jugut.
“Po shohim një trend stabilizues. Për të tretën ditë me radhë, numri i të infektuarve të rinj është më i vogël se numri i atyre që janë shëruar plotësisht”, tha Kang në një intervistë për BBC-në.
Ajo po ashtu tha se qeveritë në botë duhet të reagojnë “me koka të ftohta” dhe “të frenojnë panikun”.
Koreja e Jugut aktualisht ka 8,162 të infektuar me koronavirus, ndërsa 75 pacientë kanë vdekur.
Lexoni edhe këtë:
Prishtina duartroket mantelbardhët
Qytetarët në Prishtinë kanë dalë të dielën në dritaret e banesave të tyre për t’i duartrokitur punonjësit shëndetësorë dhe ata të sigurisë, të cilët janë në vijën e parë të frontit në luftën kundër koronavirusit. Kështu, prishtinasit iu bashkuan qytetarëve të vendeve të ndryshme të botës, të cilët në po këtë mënyrë po i falënderojnë punonjësit shëndetësorë për punën e tyre kundër koronavirusit.