G7 angazhohet në luftimin e koronavirusit të ri
Drejtuesit e G7-ës kanë shprehur angazhimin e përbashkët për të punuar së bashku në trajtimin e asaj që ka të ngjarë të jetë një krizë e gjatë dhe e vështirë shëndetësore, tha presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
"Ishte rasti për të shprehur një vullnet të fortë politik për të adresuar këtë krizë së bashku, për të koordinuar, për të bashkëpunuar në fusha të ndryshme. Për ne përparësia është shëndeti i qytetarëve tanë", tha Michel për një konferencë shtypi pas një telefonate të përbashkët të përfaqësuesve të G7-ës.
Michel, i cili kryeson samitin e liderëve të BE, tha që BE-ja po punonte shumë për të mbështetur studiuesit në kërkimin e tyre për një vaksinë kundër koronavirusit.
Grupin e vendeve më të industrializuara në botë - të njohur si G7 - e përbëjnë: Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara.
Koronaviusi mund të transmetohet në zonat me klimë të nxehtë dhe të lagësht
Organizata Botëore e Shëndetësisë thotë se nga provat e deritanishme, virusi mund të transmetohet në gjithat zonat, përfshirë ato me mot të nxehtë dhe të lagësht.
“Pavarësisht nga klima, miratoni masa mbrojtëse nëse jetoni, ose udhëtoni në një zonë që raporton raste me koronavirus. Mënyra më e mirë për të mbrojtur veten kundër COVID-19 është duke pastruar shpesh duart. Duke bërë këtë ju eliminoni viruset që mund të jenë në duart tuaja dhe shmangni infeksionin që mund të ndodhë duke prekur më pas sytë, gojën dhe hundën”, thotë OBSH.
Edhe dy raste të reja me koronavirus në Kosovë
Institucionet e Kosovës kanë njoftuar se janë konfirmuar edhe dy raste të reja me koronavirusin e ri.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovës ka arritur në 15.
“Dy rastet janë dy të fejuar të ardhur nga Londra sot me datë 16.03.2020 me fluturim direkt Londër -Prishtinë. Të dytë kanë qëndruar në Londër nga data 04 mars deri me datën 16.03.2020, dhe sot janë detektuar nga shërbimet shëndetësore të aeroportit ndërkombëtar “Adem Jashari”. Rastet janë me vendqëndrim nga fshati Korishë-Prizren dhe tjetri nga komuna e Obiliqit. Të dytë të moshës 26 vjeçare” thuhet në njoftimin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.
Disa udhëzime për të parandaluar përhapjen e koronavirusit
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, përmes një komunikate, u ka bërë thirrje sëish qytetarëve të Kosovës, të respektojnë udhëzimet e lëshuara nga institucionet shëndetësore, në mënyrë që të parandalohet përhapja e koronavirusit të ri.
Ndër udhëzimet e këtij instituti janë edhe këto:
- Qëndroni në shtëpi pranë të afërmve tuaj dhe ndiqni rekomandimet tona sa më shumë që të keni mundësi!
- Pa shtrëngime duarsh
- Pa përqafime
- Qëndroni në distancë nga njëri tjetri së paku 2 metra larg
- Lani duart sa më shpesh me ujë dhe sapun
- Ajrosni shtëpinë dhe mbani higjienën personale dhe atë të shtëpisë
- Kur teshtini, mbuloni gojën me gropëzën e bërrylit apo me faculetë
- Nëse keni shenja dhe simptoma të dyshimta në lidhje me COVID-19 mund të telefononi në qendrën e thirrjeve 03820080800 për informata të nevojshme.