Hoti: Bizneset do të kenë pasoja në të ardhura
Zëvendës kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se bizneset në Kosovë për shkak të mungesës së aktiviteteve do të kenë pasoja në të ardhurat e tyre.
“Kjo situatë do të ketë pasoja për të gjithë ne. Nga mungesa e aktivitetit biznesor do të ndikohen të ardhurat e bizneseve dhe, rrjedhimisht, të ardhurat e familjeve, të hyrat buxhetore për shtetin, kthimi i kredive në banka e kështu me radhe. Të gjithe do te jemi bashkë për tu përballur me këto pasoja. Vendimet e Qeverise do të jenë në përputhshmëri me situatën e krijuar,” ka shkruar Hoti.
Gjithashtu Hoti ka shkruar se jeta e njerëzve është më e rëndësishme se stabiliteti financiar i bizneseve, bankave dhe të institucioneve të tjera.
Qeveria e Kosovës ka vendosur mbylljen e shumicës së bizneseve për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri.
Kanada mbyll kufijtë
Kanada është bërë vendi i fundit që mbylli kufijtë e tij për të huajt, duke u ndaluar hyrjen.
Vendimi nuk vlen për shtetasit kanadezë.
Kryeministri kanadez, Justin Trudeau tha se ishte "koha për të marrë çdo masë paraprake për t'i mbajtur njerëzit të sigurt".
"Më lejoni të jem i qartë, nëse jeni jashtë vendit, është koha të ktheheni në shtëpi", tha Trudeau, duke iu drejtuar qytetarëve kanadezë.
Javën e kaluar gruaja e kryeministrit Trudeau, Sophie Gregoire Trudeau, u testua pozitive për koronavirusin e ri pasi u kthye nga një udhëtim në Londër.
Shërohen tre persona në Çeki
Në Republikën e Çekisë janë shëruar tre pacientë me koronavirusin e ri.
Deri më tani, Çekia është një nga vendet e pakta në botë, në të cilën nuk janë raportuar viktima për shkak të epidemisë dhe në të cilën njerëzit janë shëruar nga COVID-19.
Autoritetet kanë njoftuar për 344 raste të konfirmuara me koronavirus.
Vetëm më 16 mars janë shtuar 46.
OBSH: Sa më shumë teste të COVID-19
Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, u bëri thirrje qeverive në mbarë botën, që sa më shumë të testojnë njerëzit për të kuptuar nëse janë të infektuar me koronavirusin e ri.
OBSH ka dërguar 1.5 milion teste në 120 vende, tha ai, por paralajmëroi se bota nuk kishte kryer sa duhet testime, duke e quajtur atë "shtyllën kurrizore të ndalimit të përhapjes" së pandemisë.
Ai këshilloi vendet që të testojnë çdo rast të dyshuar të koronavirusit, dhe më pas të izolojnë rastet pozitive.
“Çdokush që është në kontakt me pacientët dy ditë para se të shfaqte simptoma, gjithashtu duhet të testohet”, tha ai.
Në mungesë të ambienteve spitalore për raste të buta, pacientët mund të kujdesen në shtëpi por pacientët nuk duhet të ndajnë një shtrat ose një banjë me anëtarët e familjes të pa infektuar, dhe ata duhet të kujdesen vetëm nga një anëtar i familjes, në mënyrë ideale dikush me shëndet të mirë.
Edhe pse ata të moshës mbi 60 vjeç janë më të rrezikuar, fëmijët gjithashtu kanë vdekur nga Covid-19, tha OBSH.