Turqia me masa shtesë kundër koronavirusit
Turqia do të mbyllë përkohësisht kafenetë, palestrat sportive dhe do të pezullojë lutjet nëpër xhami në përpjekje për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, pasi ky shtet ka identifikuar 18 raste të personavetë infektuar me këtë virus, bëjnë të ditur autoritetet.
“Që nga mesnata e të hënës, të gjitha kafenetë, kinematë, palestrat do të pezullohen”, tha ministria e punëve të brendshme të Turqisë.
Ankaraja gjithashtu do të ndalojë fluturimet për gjashtë vende përfshirë këtu edhe Britaninë e Madhe dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, bëri të ditur ministri i shëndetësisë së Turqisë, Fahrettin Koca.
Shtyhen zgjedhjet në Serbi
Komisioni Zgjedhor shtyu zgjedhjet e përgjithshme në Serbi, të parapara të mbahen më 26 prill, për shkak të shpërthimit të koronavirusit dhe deri pas heqjes së gjendjes së jashtëzakonshme.
"Të gjitha afatet në lidhje me procesin zgjedhor do të përcaktohen pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme", tha Komisioni Zgjedhor përmes një deklarate.
KMDLNJ kërkon lirimin e disa të burgosurve në Kosovë
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të bëjnë lirimin e një numri të të burgosurve në burgjet e Kosovës, si masë kundër përhapjes së sëmundjes Covid19, që shkaktohet nga virusi Sars-Cov-2.
KMDLNJ po ashtu ka ngritur shqetësim sa i përket gjendjes shëndetësore të të dënuarve dhe të atyre që janë në paraburgim, duke para të nevojshme që të ketë kontrolla më të shtuara mjekësore dhe të bëhet dezifenktimi i hapësirave ku mbahen të ndaluarit dhe ku punon stafi.
Për shkak të përhapjes së virusit Sars-Cov-2, janë ndërprerë vizitat familjare në burgjet e Kosovës deri më 27 mars 2020.
Trump: Përhapja e koronavirusit mund të zgjasë
Përhapja e koronavirusit mund të vazhdojë deri në muajin korrik apo gusht - mbase më shumë - tha presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
“Banorët e SHBA-së këshillohen të shmangin baret, restorantet dhe hapësirat publike, si dhe udhëtimet e panevojshme”, tha presidenti amerikan.
Por zoti Trump tha që nuk kishte plane aktuale për një karantinë mbarëkombëtare - duke sugjeruar që njerëzit në SHBA tashmë janë duke u izoluar.