Në Maqedoninë e V. mbyllen kufijtë dhe aeroporti në Shkup
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim për mbylljen e vendkalimeve kufitare dhe të aeroportit ndërkombëtar në Shkup, si masë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
“Vendkalimet kufitare mbyllen për kalimin e shtetasve të huaj, udhëtareve dhe automjeteve. Përjashtim bëjnë automjetet e mallrave, përfaqësuesit diplomatikë dhe persona të tjerë, për të cilët ka interes të veçantë shtetëror ose ekonomik”, tha ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe .
Ai tha se kalimi kufitar mbyllet edhe në aeroportin ndërkombëtar të Shkupit, por jo edhe për fluturimet shtetërore, ushtarake, të mallrave, humanitare dhe mjekësore.
Për më shumë, lexoni këtu.
Tom Hanks dhe gruaja e tij dalin nga spitali
Aktori amerikan, Tom Hanks, dhe gruaja e tij, Rita Wilson, janë liruar nga një spital në Australi, ku janë trajtuar për koronavirus.
Çifti, i cili tani ndodhet në vetizolim në një shtëpi në Kuinsllend, ka njoftuar se ka dalë pozitiv në testet për koronavirus javën e kaluar.
"Ndiheshim pak të lodhur, sikur të kishim ftohje dhe dhimbje të trupit. Rita kishte ethe që i vinin dhe i shkonin. Edhe pak temperaturë kishim", ka thënë Hanks, 63 vjeç, në një postim në Instagram, të enjten e kaluar.
Në Australi aktualisht janë 375 raste të konfirmuara me koronavirus.
Në SHBA testohet vaksina kundër koronavirusit
Testimi i parë në njeri i vaksinës për mbrojtje nga koronavirusi ka nisur në Shtetet e Bashkuara.
Katër pacientë e kanë marrë dozën në spitalin kërkimor Kaiser Permanente në Sietëll, Uashington, raporton agjencia e lajmeve Associated Press.
Vaksina përmban një kod të padëmshëm gjenetik, të kopjuar nga virusi që e shkakton sëmundjen COVID-19.
Ekspertët thonë se do të duhen disa muaj kohë për të kuptuar nëse kjo vaksinë do të funksionojë.
Personi i parë që e ka marrë dozën të hënën, ka qenë një grua 43-vjeçare nga Sietëll.
"Është një mundësi e mahnitshme për mua", tha Jennifer Haller për AP-në.
Mjeku John Tregoning tha se vaksina përdor “teknologjinë para-ekzistuese”.
“Është bërë me një standard shumë të lartë, duke përdorur gjëra që i dimë se janë të sigurta për t’u përdorur në njerëz. Ata që marrin pjesë në eksperimente, do të vëzhgohen nga afër”, tha ai.
BE-ja planifikon mbylljen e kufirit
Komisioni Evropian planifikon t’i ndalojë të gjitha udhëtimet jothelbësore brenda zonës së lëvizjes së lirë, Schengen, në përpjekje për të penguar përhapjen e koronavirusit.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se do të kërkojë nga udhëheqësit ta zbatojnë masën, nisur nga e enjtja.
“Sa më pak udhëtim, aq më shumë mund ta frenojmë virusin”, ka thënë ajo.
Banorët me leje afatgjate të qëndrimit, familjarët e shtetasve të BE-së dhe diplomatët do të përjashtoheshin nga ndalesa, ashtu si edhe punonjësit e kujdesit shëndetësor ndërkufitar dhe njerëzit që transportojnë mallra, tha von der Leyen gjatë një video-konference.
Masa do të ishte në fuqi për 30 ditë.
Disa vende të BE-së tashmë i kanë mbyllur kufijtë e tyre, qoftë tërësisht, ose pjesërisht, në përpjekje për të ndaluar përhapjen e koronavirusit.