Kosova lanson platformën informative shëndetësore
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar të martën në mbrëmje se ka lansuar plaformën informative shëndetësore online Kosova.health.
Në njoftim theksohet se kjo platformë përmban informacionet e përditësuara lidhur me përhapjen e virusit Covid-19 në Kosovë.
“Pjesë e rëndësishme e kësaj platforme është rubrika “Fol me mjekun”, përmes së cilës ju mund të shtroni pyetje lidhur me shqetësimet e juaja shëndetësore rreth Covid-19 dhe të merrni përgjigjet nga profesionistët e shëndetësisë nëse keni simptoma që kanë të bëjnë me virusin Covid-19”, thuhet në njoftim.
Platforma është në gjuhët shqipe, serbe dhe angleze.
Deri të martën, në Kosovë, shifra e personave të prekur me virusin Sars-Cov-2 ka shkuar në 19. Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 150 vende në botë.
Serbia vendos orë policore
Serbia ka ashpërsuar masat për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri.
Autoritetet kanë vendosur orë policore nga ora 8 e mbrëmjes deri në 5 të mëngjesit.
“Në Serbi, është e ndaluar lëvizja e të moshuarve gjatë ditës, ndërsa në orët e natës janë të ndaluar të gjithë qytetarët, përveç autoriteteve kompetente përgjegjëse të grupit të punës dhe qytetarët që punojnë në ndërrimin e tretë, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
"Që nga nesër në mëngjes në orën 10, janë absolutisht të ndaluara lëvizjet e njerëzve mbi 65 vjeç në zona urbane, dhe në qytete më të vogla, zona rurale, është e ndaluar të lëvizësh nëse keni mi 70 vjeç. Ata duhet të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe unë u kërkoj pleqve tanë ta kuptojnë këtë", tha Vuçiq.
Presidenti serb theksoi se të gjitha vendkalimet kufitare, qendrat e migrantëve dhe spitalet do të jenë nën kontrollin e Forcave të Armatosura serbe, të cilat, siç theksoi Vuçiq, do të jenë të armatosur.
Vuçiq tha gjithashtu se dënimet për ata që nuk respektojnë izolimin "do të jenë shumë, shumë të ashpra".
Evropa mbyll kufijtë
Vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë rënë dakord të mbyllin kufijtë e BE-së për të gjitha udhëtimet jo thelbësore për 30 ditë, njoftoi presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
Drejtuesit e Bashkimit Evropian kanë mbështetur një propozim të Komisionit Evropian për të vendosur një ndalim të hyrjes në zonën e Shengenit të BE-së me qëllim parandalimin të përhapjes së koronavirusit.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel konfirmoi se të gjithë krerët e shteteve dhe qeveritë të BE-së i kanë mbështetur rekomandimet e Komisionit Evropian.
Ata zhvilluan një video-konferencë më 17 mars.
"Ne kemi miratuar udhëzimet e propozuara nga Komisioni për Menaxhimin e Kufijve", tha presidenti i Këshillit Evropian.
"Për të kufizuar më tej përhapjen e virusit, ne kemi rënë dakord të forcojmë kufijtë e jashtëm duke zbatuar një kufizim të koordinuar të përkohshëm të hyrjeve jo emergjente për 30 ditë", theksoi ai.
Masat kufizuese zbatohen në të gjithë territorin e Bashkimit Evropian, përfshirë zonën Shengen.
Kujtojmë që jo të gjitha vendet e BE-së janë anëtare të Shengenit, siç janë Kroacia, Bullgaria, Rumania, Irlanda dhe Qiproja.
Ekzistojnë gjithashtu vende jo të BE-së, por pjesë e zonës Shengen, të tilla si Norvegjia Zvicra dhe Lihtenshtajni.
Këto masa do të zbatohen për të ashtuquajturit shtetas të vendeve të treta për një periudhë prej 30 ditësh.
Masat kufizuese nuk vlejnë për qytetarët e BE-së, banorët e përhershëm të vendeve të BE-së, diplomatët dhe stafin mjekësor, si dhe ekspertët që ndihmojnë në ndalimin e koronavirusit.
Trump: Bota është në luftë me një armik të fshehtë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, përmes një postimi në rrjetin social Twitter ka thënë se “bota është në luftë me një armik të fshehtë, por ne do të fitojmë”.
Ndërkohë, BBC raportoi më herët se administrata e presidenti Trump po përgatit një paketë ndihme gati 1 trilion dollarëshe për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri.