Situata me koronavirus, ministrja Hajdari nxjerr disa urdhëresa
Ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike në Kosovë, Rozeta Hajdari, ka nxjerrë disa urdhëresa për t’i trajtuar ankesat e qytetarëve dhe për të zbatuar vendimet e Qeverisë së Kosovës në lidhje me koronavirusin.
Urdhëresat e ministres Hajdari, sipas një njoftimi për media, kanë të bëjnë me menaxhimin e çmimeve, sigurimin e ofrimit të shërbimeve të komunikimeve elektronike dhe shërbimeve postare gjatë emergjencës së shëndetit publik, si dhe me zbatimin e masave ndaj veprimtarive ekonomike lidhur me situatën e krijuar.
Urdhëresa e parë për menaxhimin e çmimeve, përveç tjerash, obligon inspektorët e tregut që të shqyrtojnë secilën ankesë të konsumatorëve lidhur me mosrespektimin e të drejtave të tyre ekonomike dhe ligjore nga ana e operatorëve ekonomikë.
Tek ofrimi i shërbimeve të komunikimit elektronik, përmes urdhëresës, kërkohet nga të gjithë ofruesit e shërbimeve dhe rrjeteve të komunikimit, të sigurojnë qasje të pandërprerë në komunikime elektronike në tërë territorin e Kosovës.
Në Kosovë, deri më tani janë konfirmuar 19 raste me koronavirusin që shkakton sëmundjen COVID-19.
Vetizolohet kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se është vetizoluar, pasi ditë më parë ka qenë në një ambient ku ndodhej edhe një person, që më pas ka rezultuar pozitiv në testet për koronavirus.
“Meqë javën e kaluar kam qenë në ambient të njëjtë, por pa kontakt me Muhamet Sejdiun, i cili rezultoi pozitiv, unë, nga mbrëmja, jam vetizoluar, duke iu nënshtruar testeve të protokollit shëndetësor”, ka thënë Haziri.
“Po ashtu u kam kërkuar të gjithëve që kanë qenë në ambient të njëjtë, t’iu nënshtrohen testeve dhe vetizolimit”, ka thënë Haziri, për të shtuar se detyrën e tij do ta ushtrojë nënkryetari i Komunës së Gjilanit.
Në Kosovë, deri më tani janë konfirmuar 19 raste me koronavirus.
Austriakët tërheqin deri në 600 milionë euro në ditë para të gatshme
Për shkak të pandemisë që ka shkaktuar koronavirusi, në Austri janë rritur kërkesat për para të gatshme.
Guvernatori i Bankës Kombëtare të Austrisë, Robert Holzmann, tha se austriakët tërhqin deri në 600 milionë euro në ditë para të gatshme.
Holzmann tha se rreth 9,000 bankomate në gjithë Austrinë mbushen çdo ditë dhe nëse në një bankomat mungojnë paratë, “ai do të mbushet ditën pasuese”.
Megjithatë, rekomandimet janë që të mos përdoren paratë e gatshme dhe që më shumë të paguhet me kartela, me qëllim zvogëlimin e rrezikut të infektimit me koronavirus.
Koronavirusi godet rëndë ekonominë
Si pasojë e shpërthimit të pandemisë globale të koronavirusit, e gjithë bota pritet të përballet me një ngadalësim të aktivitetit ekonomik.
Edhe në Kosovë, pasojat në ekonomi, sipas ekspertëve të fushës, pritet të jenë të mëdha.
Rritja ekonomike, thonë ata, do të jetë shumë më e ulët krahasuar me parashikimet e bëra nga institucionet e vendit.
Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.