Numri i të infektuarve me koronavirus kalon 200,000
Numri i rasteve me koronavirus në gjithë botën ka kaluar 200,000, tregojnë shifrat e fundit të Universitetit Johns Hopkins në Shtetet e Bashkuara.
Sipas tyre, aktualisht në gjithë globin janë 201,672 njerëz të infektuar, ndërsa 8,008 pacientë kanë vdekur.
Kina vazhdon të ketë numrin më të lartë të rasteve të konfirmuara (81,102), ndërsa pasa saj vjen Italia me 31,506.
Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, numrin më të madh të rasteve e ka aktualisht Sllovenia (275).
Në Kosovë janë 19 të infektuar me koronavirus.
Kurti shkarkon ministrin Veliu
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ka shkarkuar nga detyra ministrin e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu.
Në një njoftim për media thuhet se Veliu, për televizionin Klan Kosova, “u deklarua kundër qëndrimit të kryeministrit të Republikës së Kosovës mbi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme” për shkak të situatës me koronavirus dhe se Veliu ka përhapur panik, duke thënë se “numri i të prekurve po rritet prej ore në orë”.
Sipas Kurtit, “as Ministria e Shëndetësisë e as Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike nuk kanë thënë se numri i të infektuarve me COVID-19 po rritet nga ora në orë”.
Përmes deklaratave të bëra publikisht, “por jo edhe të mbështetura me qëndrime të tij në mbledhje të brendshme”, Veliu ka “dëshmuar mungesë të theksuar lidershipi dhe ka minuar hapur punën e qeverisë”, thuhet në njoftimin e zyrës së Kurtit.
“Në këto rrethana, jam i detyruar të veproj, andaj edhe kam vendosur të shkarkoj z. Veliu nga detyra e ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike”, tha Kurti, duke shtuar se deri në zgjedhjen e ministrit të ri, detyrën do ta kryejë zëvendësministri aktual, Xhelal Sveçla.
- Lajmin e zgjeruar mund ta lexoni këtu.
Shënohet viktima e dytë nga Covid-19 në Shqipëri
Edhe një person ka humbur jetën si pasojë e koronavirusit në Shqipëri, duke e çuar në dy numrin e viktimave në këtë vend.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 66-vjeçari nga Lushnja ishte në gjendje të rëndë shëndetësore dhe ishte shtruar në shërbimin infektiv para disa ditësh.
Eugena Tomini, nga Instituti i Publik i Shqipërisë, ka njoftuar se pacienti vuante nga disa sëmundje shoqëruese.
“Prej disa ditësh, pacienti ishte i intubuar në respirator të drejtuar, në gjendje të rëndë shëndetësore”, ka thënë Tomini.
- Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.
Jeni të izoluar? Ja, disa këshilla: