Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar.
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
18:23 18.3.2020

Itali: Rritet shifra e të vdekurve pë​r 19 për qind

Numri i të vdekurve në Itali nga koronavirusi i ri ka arritur në 2,978, duke shënuar rritje për 475 në 24 orët e fundit.

Kjo shifër njëherësh shënon rritje për 19 për qind të numrit të të vdekurve në këtë shtet, apo shifrën më të madhe brenda një dite, prej kur është raportuar për personat e parë të prekur në këtë shtet në muajin shkurt.

Italia, që është prekur më së keqi nga koronavirusi i ri, ka regjistruar 35,713 persona të prekur me këtë sëmundje, ka raportuar Agjencia për Mbrojtje Civile, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.

Nga personat e prekur, 4,025 janë shëruar.

18:08 18.3.2020

Çfarë u tha në konferencën e OBSH-së për koronavirusin?

  • Rastet e konfirmuara në botë kanë kaluar shifrën 200,000.
  • Janë regjistruar më shumë se 8,000 vdekje në botë.
  • Shumica e rasteve të konfirmuara – 80 për qind – janë raportuar në Evropë dhe një pjesë të Azisë.
  • Masat për mbajtje të distancës, siç është anulimi i ngjarjeve të mëdha, mund të ndihmojnë në uljen e shpërndarjes dhe uljes së presionit në sistemin shëndetësor.
  • “Për të shtypur dhe kontrolluar epidemitë, shtetet duhet të izolojnë, testojnë, trajtojnë dhe ndjekin”, ka thënë shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, duke iu referuar koronavirusit.
  • OBSH-ja dhe partnerët e saj janë duke organizuar një studim në disa shtete, në të cilin do të krahasohen trajtimet e patestuara.
  • Kjo Organizatë ka këshilluar njerëzit në Afrikë që t’i shmangin grumbullimet dhe të përgatiten për rritje të numrit të rasteve.
17:47 18.3.2020

Policia e Kosovës: Nuk kemi informacion për ndalimin e lëvizjes në veri

Policia e Kosovës nuk ka njohuri për kurrfarë vendimi për ndalimin e lëvizjes në veri të Kosovës, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, zëvendësdrejtori i policisë rajonale të Kosovës, Besim Hoti, lidhur me thirrjen që u është bërë qytetarëve në Mitrovicë të Veriut nga i ashtuquajturi “Organi i përkohshëm i Komunës së Mitrovicës”.

Ky organ funksionon në kuadër të sistemit të Serbisë në Mitrovicën e Veriut, një prej katër komunave veriore me shumicë serbe në Kosovë.

Nga autoritetet e Kosovës ky organ konsiderohet si institucion paralel.

Ky trup ka nxjerr një komunikatë përmes të cilës i porosit të gjithë qytetarët për “zbatim të përpiktë të ndalimit të lëvizjes” në periudhën prej orës 20:00 e deri në orën 5:00 të mëngjesit.

Në përputhje me vendimin e 17 marsit të Qeverisë së Serbisë, pensionistët dhe personat më të vjetër se 65 vjet, janë paralajmëruar që të mbajnë diciplinë lidhur me ndalimin e tërësishëm të daljes nga shtëpitë, thuhet në komunkatë.

Mirëpo këto masa dallojnë nga ato që marrë Qeveria e Kosovës, me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit të ri.

Lexoni hollësitë duke klikuar këtu.

17:07 18.3.2020

Mbyllet kufiri SHBA-Kanada për shkak të koronavirusit

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe kryeministri kanadez, Justin Trudeau janë pajtuar për mbyllje të kufirit mes Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë për të gjitha udhëtimet jo të domosdoshme, me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit të ri.

“Pas arritjes së pajtueshmërisë ne do të mbyllim përkohësisht kufirin tonë verior me Kanadanë”, ka thënë Trump përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.

Ai ka thënë se tregtia nuk do të preket nga ky vendim.

Të dyja shtetet tashmë kanë nisur ndalesa në udhëtim, mirëpo deri tani kanë bërë përjashtime për njëra-tjetrën.

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe kryeministri kanadez, Justin Trudeau.
Presidenti amerikan, Donald Trump dhe kryeministri kanadez, Justin Trudeau.

Kanadaja varet nga Shtetet e Bashkuara në afërsisht 75 për qind të eksporteve të saj.

“Pothuajse 200,000 njerëz kalojnë atë kufi secilën ditë, prandaj ai kufi dhe ai trafik që zhvillohet aty është vijë e jetës për kanadezët dhe amerikanët në të dyja anët e kufirit”, ka thënë zëvendëskryeministrja e Trudeaus, Chrystia Freeland.

Sipas të dhënave, mallrat dhe shërbimet që kalojnë kufirin SHBA-Kanada arrijnë vlerën e 2 miliardë dollarëve brenda një dite.

Koronavirusi i ri, që është shpërndarë në të dyja vendet, ka prekur të paktën 6,496 persona në të gjitha 50 shtetet amerikane, derisa numri i të vdekurve ka arritur në 114.

Kanadaja, e cila ka një të nëntën e popullsisë së SHBA-së, ka raportuar për 598 persona të infektuar dhe tetë persona të vdekur si pasojë e sëmundjes COVID-19 që shkakton koronavirusi.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG