Lufta kundër koronavirusit: “Kryefjala është disiplina dhe zbatimi i masave”
Mikrobiologu kosovar, Lul Raka, thotë se një i prekur me koronavirusin COVID-19 infekton mesatarisht një deri në tre persona.
Qëndrimi në shtëpi e ndërpret zinxhirin e përhapjes së koronavirusit, thotë Raka për Radion Evropa e Lirë.
- Intervistën e plotë mund ta lexoni këtu.
Kina shënon edhe një ditë pa raste të reja të brendshme me koronavirus
Kina tha se ka regjistruar edhe një ditë pa infeksione të reja lokale me koronavirus.
Autoritetet, megjithatë, raportuan për 39 të infektuar të rinj, por thanë se të gjitha ato janë raste të importuara, që do të thotë se qytetarët e kanë marrë virusin jashtë Kinës dhe kanë dalë pozitivë pasi kanë hyrë në Kinë.
Numri i të vdekurve në Kinë po ashtu është ngadalësuar, thanë zyrtarët shëndetësorë, të cilët raportuan për vetëm tri viktima të reja.
Në total, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në Kinë kanë humbur jetën 3,132 persona, si pasojë e koronavirusit.
Instituti i Shëndetit Kombëtar në Kinë ka thënë edhe të enjten se të gjitha rastet e reja me koronavirus në këtë ditë, kanë qenë të importuara.
Kina besohet se është vend i origjinës së koronavirusit.
Rastet e para atje janë shfaqur në fund të vitit të kaluar dhe më pas janë përhapur në mbi 150 vende të botës.
OBSH: Afrika duhet të zgjohet ndaj kërcënimit të koronavirusit
Afrika duhet “të zgjohet” ndaj kërcënimit të koronavirusit dhe të përgatitet për më të keqën”, tha shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Kontinenti duhet të mësojë nga mënyra se si është përhapur virusi gjetkë, tha Ghebreyesus.
Sipas tij, edhe pse numri i rasteve të konfirmuara me koronavirus atje është i ulët – rreth 640 – nuk ka arsye për vetëkënaqësi.
“Afrika duhet të zgjohet. Kontinenti im duhet të zgjohet”, tha Ghebreyesus, i cili vetë është etiopian.
Ekspertët e shëndetit paralajmërojnë se sistemi i tendosur i shëndetit publik në Afrikë do të mund të mbingarkohej shpejt, nëse koronavirusi përhapet me të madhe, sidomos në zonat e mbipopulluara urbane.
Qytetarët kërkojnë angazhim në luftën kundër koronavirusit
Shumë qytetarë në Prishtinë dhe qytete tjera kanë bërë zhurmë dhe kanë goditur enë të ndryshme nga ballkonet e tyre për të protestuar kundër krizës së fundit qeveritare. Ata kanë kërkuar nga qeveritarët që t’i lënë anash dallimet dhe të koncentrohen në luftimin e përhapjes së koronavirusit.