Hong Kongu regjistron numrin më të madh të rasteve brenda një dite
Territori kinez i Hong Kongut ka regjistruar 48 raste të reja me koronavirus, që është shifra më e lartë brenda një dite në këtë vend.
Ekspertët shëndetësorë kanë paralajmëruar për rrezik nga një shpërthim tjetër i sëmundjes, për shkak të njerëzve që kthehen nga jashtë vendit.
“Kjo është koha më e keqe për t’u relaksuar, sepse jemi në rrezikun më të lartë që nga shpërthimi”, tha profesori Habriel Leung, dekan i fakultetit mjekësor të Universitetit të Hong Kongut, raporton BBC.
Hong Kongu ka 208 njerëz të infektuar me koronavirus, ndërsa katër pacientë atje kanë humbur jetën.
Koronavirusi është shfaqur për herë të parë në qytetin Vuhan të Kinës në fund të vitit të kaluar dhe, që atëherë, është përhapur në mbi 150 vende të botës.
Numri i viktimave në Spanjë kalon 1,000
Numri i njerëzve të vdekur nga koronavirusi në Spanjë ka arritur në 1,002, thanë të premten autoritetet.
Me këtë shifër, Spanja bëhet vendi i katërt në botë – pas Italisë, Kinës dhe Iranit – me më shumë se 1,000 njerëz të vdekur.
Autoritetet spanjolle thanë se në këtë vend, afro 20,000 njerëz janë të infektuar me koronavirus, ndërsa 1,588 janë shëruar.
Thaçi: Kosova po e menaxhon situatën me COVID-19
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se institucionet në vend janë duke e menaxhuar gjendjen që ka krijuar koronavirusi, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që t’i zbatojnë masat e rekomanduara.
Në një postim në Facebook, Thaçi tha se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike është duke e kufizuar përhapjen e virusit COVID-19 dhe se Policia e Kosovës është duke e ruajtur rendin dhe qetësinë publike.
Për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Thaçi tha se ajo është në gjendje gatishmërie me të gjitha kapacitetet e veta mjekësore dhe logjistike për të ndihmuar në tejkalimin e rrethanave të krijuara.
“Rolin kryesor tani e kanë qytetarët. Të kujdesemi për higjienën tonë. Ta ruajmë distancën fizike mes nesh. Të dalim nga shtëpitë vetëm kur kjo është e domosdoshme. Këto ditë janë kritike për ta kufizuar përhapjen e COVID-19 dhe për t’i lejuar kapacitetet ekzistuese që të përballen me rastet që paraqiten”, tha Thaçi.
Në Kosovë aktualisht janë 21 persona të infektuar me koronavirus.
Përse koronavirusi i “kursen” fëmijët?
Nga të dhënat e bëra publike duket se ata që kanë më shumë simptome dhe komplikime nga koronavirusi janë njerëz më të vjetër. Përse ky virus duket se i kursen fëmijët? Për Zërin e Amerikës përgjigjet Steven Zeichner, drejtues i Divizionit të Sëmundjeve Infektive Pediatrike, pranë Universitetit të Virxhinias: