Festohet në heshtje Viti i Ri në Iran
Lideri Suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka thënë se qytetarët e këtij shteti kanë bërë sakrifica “shembullore” në betejën kundër pandemisë me koronavirus, që ka lënë të vdekur të paktën 1,284 persona në këtë vend.
Përmes një adresimi televiziv më 20 mars, për të shënuar Vitin e Ri Persian, Khamenei ka thënë se “sa i përket sëmundjes së fundit – përhapjes së koronavirusit – sakrificat kanë qenë aq shembullore, saqë edhe të huajt janë ndjerë të obliguar për t’i admiruar”.
Numri i të infektuarve dhe të vdekurve nga koronavirusi në Iran vazhdon të rritet, andaj edhe festimet e Vitit të Ri atje kanë kaluar në heshtje.
- Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.
Netflix ul cilësinë, për të zvogëluar ngarkesën në internet
Kanali televiziv Netflix do të zvogëlojë cilësinë e videove në shërbimet e tij në Evropë, për të reduktuar ngarkesën mbi ofruesit e internetit.
Masa do të vlejë 30 ditë.
Ngarkesa në internet është rritur pasi miliona njerëz në Evropë janë të vetizoluar në shtëpi, për shkak të shpërthimit të koronavirusit.
Zvogëlimi i cilësisë së fotografisë do ta ulë konsumin e të dhënave nga Netflix për 25%, tha kjo kompani.
Ajo, megjithatë, i siguroi shikuesit se do të kenë fotografi të cilësisë së mirë.
Shkon në 67 numri i të infektuarve në Maqedoni të Veriut
Numri i të infektuarve me koronavirus në Maqedoninë e Veriut është rritur në 67.
Nga 71 testet e kryera, 19 kanë rezultuar pozitivë, ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Ai ka thënë se gjendja e personave të prekur me koronavirus është e qëndrueshme dhe pa shenja të përkeqësimit.
Institucionet shëndetësore, ka thënë Filipçe, janë në gjendje të përballen me rritje të numrit të të infektuarve, por kjo betejë, siç është shprehur ai, nuk do të mund të fitohet vetëm nga mjekët dhe stafi tjetër shëndetësor.
“Me rëndësi të madhe është roli i qytetarëve, ndërgjegjja dhe vetëdijesimi i tyre se të gjithë duhet të japin kontributin e tyre për kapërcimin e kësaj krize”, ka deklaruar Filipçe.
- Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.
Pamje nga vende të ndryshme të botës para dhe pas shpërthimit të koronavirusit: