Rusët ndërtojnë spital në qytetin Golokhvastov për pacientët me koronavirus
NASA mbyll dy qendra për shkak të koronavirusit
NASA do t’i mbyllë dy qendra të saj hapësinore, për të ndihmuar në parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Agjencia amerikane e hapësirës tha se do të pezullojë punën në objektin Michoud, në shtetin Nju Orllins, ku po ndërtohet Sistemi i Nisjes në Hapësirë.
Qendra Stennis Space në Misisipi, ku po testohet përforcuesi i raketave, gjithashtu do të mbyllet përkohësisht.
Për rrjedhojë, këta hapa mund të shtyjnë misionin e NASA-s për të dërguar astronautë në Hënë, në vitin 2024.
Shtetet e Bashkuara kanë mbi 14,000 njerëz të infektuar me koronavirus, përfshirë edhe një rast të ditur në Qendrën Stennis Space në NASA.
Në SHBA, 250 pacientë kanë humbur jetën nga sëmundja.
Në Serbi shpallet epidemi e koronavirusit
Ministri i Shëndetësisë i Serbisë, Zllatibor Llonçar, nxori një dekret për shpalljen e epidemisë së koronavirusit në Serbi.
Dekreti vlen për gjithë territorin e këtij vendi.
Serbia ka 118 njerëz të infektuar me koronavirus.
Rasti i parë atje është raportuar më 6 mars.
Më 15 mars, autoritetet serbe kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme për shkak të koronavirusit.
Bavaria kufizon lëvizjet e njerëzve
Bavaria është bërë landi i parë gjerman që ka vënë kufizime të gjera në lirinë e lëvizjes, me qëllim frenimin e përhapjes së koronavirusit.
Kryeministri i landit, Markus Soeder, tha se, nisur nga e shtuna, qytetarët do të mund të dalin nga shtëpia vetëm për të shkuar në punë, për blerje, për vizita te mjeku ose në farmaci, për të ndihmuar të tjerët ose për të vizituar prindërit.
Aktivitetet sportive jashtë do të vazhdojnë të lejohen, por vetëm nga një njeri i vetëm ose një grup njerëzish të së njëjtës familje.
Gjermania ka mbi 16,200 njerëz të infektuar me koronavirus.
Dyzetekatër pacientë atje kanë humbur jetën.