"Mbyllet" Britania e Madhe
Kryeministri britanik, Boris Johnson ka marrë vendim për “mbyllje” të Britanisë së Madhe nga dita e premte, pasi ka urdhëruar, baret, restorantet, kinematë dhe palestrat që të mbyllin dyert, me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit.
Teksa sëmundja COVID-19 përhapet në gjithë botën, qeveri, kompani dhe investitorë janë duke u përballur me krizën më të rëndë të shëndetit publik prej pandemisë së vitit 1918.
Ai ka thënë se e kupton sa e vështirë është që të ndalohet tradita e britanikëve për të vizituar baret, mirëpo një gjë e tillë tani është kthyer në domosdoshmëri.
Mbretëria e Bashkuar deri më tani ka raportuar për 3,983 persona të prekur me koronavirus, pas testimit të 66,976 pesonave.
Shkencëtarët qeveritarë kanë thënë se përhapja e virusit është më e madhe në Londër, pasi disa njerëz nuk janë duke zbatuar këshillin e qeverisë për t’u izoluar.
Deri më tani 177 persona kanë vdekur si pasojë e kësaj sëmundjeje në Britani.
Shënohet viktima e parë nga koronavirusi në Serbi
Një burrë 59-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e koronavirusit në Qendrën Klinike të Vojvodinës, ka bërë të ditur kryeministrja serbe, Ana Bërbaniq.
"Ai e ka marrë virusin nga një person, djali i të cilit ka qenë në Milano”, ka thënë ajo, e cila në emër të Qeverisë dhe shtetit të Serbisë i ka shprehur ngushëllime familjes së viktimës.
Bërnabiq po ashtu bëri të ditur se në Serbi janë regjistruar edhe 32 rastet të reja të të infektuarve, duke çuar në 135 numrin total.
Sipas saj, në izolim shtëpiak janë 64 persona ndërsa tetë janë duke u trajtuar me ndihmën e respiratorëve.
“Ekipet tona mjekësore po luftojnë për jetën e atyre tetë pacientëve”, ka thënë Bërnabiq.
BE-ja përgëzon qeverinë për masat e marra kundër koronavirusit
Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Nataliya Apostolova ka thënë se BE-ja do t’i ndihmojë Kosovës për të kaluar atë që e ka cilësuar si periudhë të vështirë, pas përhapjes së koronavirusit.
Përmes një postimi në rrjetin social, Twitter, Apostolova, ka thënë se ka zhvilluar bisedë telefonike me ministrin e Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia.
Përgjatë bisedës, shefja e zyrës së BE-së në Prishtinë, është thënë të ketë përgëzuar ministrin Vitia dhe qeverinë për masat që kanë marrë deri më tani me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit të ri.
Deri më tani në Kosovë është raportuar për 22 persona të prekur me këtë sëmundje.
Dërgohen në karantinë 96 kosovarët e kthyer nga Gjermania
Rreth 96 shtetas të Kosovës janë kthyer të premten nga Duseldorfi i Gjermanisë në Kosovë.
Për shkak të situatës së krijuar pas përhapjes së koronavirusit të ri, të gjithë të kthyerit janë dërguar në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, e cila së fundmi, me kërkesë të Qeverisë së Kosovës, është shndërruar në karantinë.
Lajmin për kthimin e tyre e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Alban Zogaj shef i kabinetit në ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës.
Deri më tani Kosova ka raportuar për 22 persona të infektuar me koronavirus.