Falja në xhami pa besimtarë
Anëtari i PE-së: Zyrtarët kosovarë të tejkalojnë vështirësitë për hir të koronavirusit
Anëtari i Parlamentit Evropian, Lukas Mandl, u ka bërë thirrje zyrtarëve në Kosovës që të qëndrojnë të bashkuar në ato që i ka cilësuar si kohëra të vështira, për të mundësuar funksionimin e qeverisë në vend të prodhimit të krizës politike.
Sipas tij, ata duhet të veprojnë së bashku për të tejkaluar vështirësitë, për hir të koronavirusit, të cilin e ka cilësuar armik të përbashkët.
Deklaratat e tij vijnë pasi Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar se ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës kërkesën për mocion mosbesimi kundër qeverisë së kryeministrit, Albin Kurti.
Lexoni lajmin e plotë duke klikuar këtu.
Dita më vdekjeprurëse në Itali
Që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit, Italia të premten ka shënuar ditën më vdekjeprurëse – 627 persona të vdekur në 24 orë.
Lajmi u bë i ditur nga shefi i Agjencisë për Mbrojtje Civile, Angelo Borelli, raporton agjencia e lajmeve Associated Press.
Të enjten, Italia e ka kaluar me numër të viktimave Kinën, vendin e origjinës së koronavirusit.
Aktualisht, numri i të vdekurve në Itali është 4,032.
SHBA-ja mbyll kufijtë me Kanadanë dhe Meksikën
Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar gjithë trafikun jo të domosdoshëm rreth kufijve me Meksikën dhe Kanadanë, teksa tentojnë të kontrollojnë përhapjen e koronavirusit të ri.
Masat e reja do të nisin së zbatuari në mesnatën e së shtunës, mirëpo nuk do të prekin tregtinë, ka thënë Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.
Ndërkohë autoritetet në Nju Jork kanë marrë vendim për mbyllje të bizneseve jo të domosdoshme, një ditë pas marrjes së një mase të ngjashme nga Kalifornia.
Përvec SHBA-së, edhe shumë vende tjera në botë janë duke marrë vendime të ngjashme me qëllim të parandalimit të përhapjes së koroanvirusit të ri.
Deri më tani sëmundja Covid-19 që shkakton koronavirusi, ka marrë jetën e mbi 220 personave në SHBA dhe ka infektuar më shumë se 16,000 të tjerë.
Në gjithë botën, gati 250,000 persona kanë rezultuar pozitivë në testimet për koronavirus, derisa mbi 10,000 të tjerë kanë vdekur.